Fillon simpoziumi i tretë ndërkombëtar “Horizontet e reja në shkencë”

Në institutin turk Yunus Emre në Prishtinë sot filloi punën “Simpoziumi i III Ndërkombëtar Horizontet e Reja në Shkencë”, i organizuar nga Revista Shkencore NWSA, të themeluar në Universitetin Fırat në Turqi, në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre Prishtinë, Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Në hapjen e këtij simpoziumi morën pjesë ministri i Administratës Publike të Kosovës Mahir Yağcılar, ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kıvılcım Kılıç, drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker, përfaqësuesja e NWSA-së Dr. Nihal Yayla, Rektori i Unıversitetit në Ferizaj Dr. Agron Bajraktari, zëvendës rektorja e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë Dr. Myrvete Badivuku si dhe përfaqësues të universiteteve në Kosovë e akademikë të shumtë nga shtete të ndryshme të botës.

Në një fjalim rasti ministri Yağcılar përgëzoi për organizimin e një simpoziumi të tillë, i cili sipas tij, ka një rëndësi të madhe për solidaritet në shkencë. “Ky organizim është një kontribut për zhvillimin e marrëdhënieve Kosovë – Turqi, si dhe me vendet e rajonit dhe po ashtu solidaritet për mbajtjen në këmbë dhe zhvillimin e njerëzimit, për të jetuar ditë më të mira”, tha ai.

Ambasadorja Kılıç theksoi rëndësinë e organizimit të këtij sempoziumi në Kosovë, i cili sipas saj do të ofrojë mundësinë e zhvillimit të punimeve shkencore. “Ne besojmë se ky aktivitet do të ofrojë një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën shkencore të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Turqisë, i cili po vazhdon në çdo fushë. Ky aktivitet po ashtu do të ofrojë mbështetje për prodhimin dhe publikimin e punimeve shkencore të veta të universiteteve në Kosovë”, tha ajo.

Drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker njoftoi se njëkohësisht në Prishtinë dhe në Prizren po bashkëpunojnë për organizimin e dy aktiviteteve të rëndësishme shkencore.

“Pa dyshim se ky dhe aktivitetet e tilla do të formojnë bashkëpunime dhe rrjete të reja për komunikim si dhe do të kontribuojnë për bashkëpunime në organizimin e aktiviteteve me përmbajtje akademike dhe shkencore edhe në të ardhmen”, tha Ülker duke shtuar se në këto dy aktivitete akademike do të prezantohen nga më shumë se 100 studime akademike në secilën.

Pas fjalimeve, u mbajt paneli në lidhje me rolin e Institutit Yunus Emre në arsimin e Kosovës. Në kuadër të simpoziumit do të bëhen prezantime të punimeve nga 12 shtete të ndryshme si Turqia, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina, Gjeorgjia, Irani, Iraku, Azerbajxhani, Republika Turke e Qipros Veriore dhe Hungaria, ku do të përfaqësohen 54 institucione dhe universitete nga 3 kontinente. Simpoziumi do të vazhdojë deri më 8 shtator.

Ndërkohë edhe në Prizren në bashkëpunim të Institutit Yunus Emre sot u hap Kongresi i 6-të Ndërkombëtar mbi Matjen dhe Vlerësimin në Arsim dhe Psikologji, i cili do të mbahet mes datave 5-8 shtator./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi