Fiks Fare/ Përgjegjësi i shërbimeve Vithkuq ndërtoi shtëpinë dhe mbetjet i hodhi buzë lumit Osum

Të gjithë banorët e fshatit Leshnjë e hedhin plehun organik nëpër fshat, pranë shtëpive, përgjatë lumit Osum apo pranë stallave.

Por, pas një ankese të një banori, vetëm njërit i vendoset gjobë. Ankesa për të shkoi deri në Inspektoratin e Mjedisit. Ndërkohë që të tjerët, përfshi edhe përgjegjësin e shërbimeve Vithkuq, Aleksandër Ropi, i hedhin përgjatë lumit Osum. Aleksandër Ropi është njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste për zonën. Pasi ndërtoi shtëpinë e re, dherat e mbetura ai i hodhi pas oborrit të shkollës, shumë pranë me lumin. Për kamerën e Fiksit ai shprehet: “Me të vërtetë hoqa mbetjet e shtëpisë e i hodha atje, por e bëra për të mirën e fshatit se mbytej nga lumi”.

Me të mbërritur në fshatin Leshnjë, vetëm 3 km nga njësia e Vithkuqit, gazetarët e Fiksit kontaktuan me të vetmin banor që i ishte vendosur 10 mijë lekë gjobë për plehun organik të hedhur në një vend të papërshtatshëm. Sipas tij, kishte 30 vite që e hidhte aty. Ai ishte i ndërgjegjshëm që e kishte shkelur ligjin, por, sipas tij, nuk ishte i vetmi. Të gjithë banorët e fshatit i hedhin mbetjet inerte dhe ato organike ku të munden, pasi një vend të përcaktuar nuk ka. Sipas kryeplakut të fshatit, kur erdhën punonjësit e mjedisit nuk panë se ishte hedhur pleh gjithandej edhe mbetje inerte. Ata i vendosën gjobë vetëm atij për të cilin kishte një ankesë nga një qytetar tjetër. Ai gjithashtu pretendon se mbetjet inerte buzë lumit dhe pas shkollës janë hedhur nga Aleksandër Ropi, që është edhe përgjegjësi i shërbimeve.

Fiksi kontaktoi edhe me Aleksandër Ropin i cili e pranon që i ka hedhur inertet aty, por thotë se e ka bërë për mirë pasi dilte lumi nga shtrati dhe mbytej fshati. Ai thotë se gurët do t’i përdorin për argjinaturë por s’kanë pasur kohë ta bëjnë dhe se për këto kishte dijeni edhe administratori. Ky i fundit prezent gjatë intervistës thotë se nuk kishte dijeni dhe nuk ka dhënë urdhër që mbetjet të hidhen aty. Ai e urdhëron punonjësin që t’i sistemoj sa më shpejt dherat e hedhura pas shkollës, brenda javës. Për plehun organik ai thotë se është e vërtete që të gjithë banorët janë abuzues dhe ne nuk kemi një vend grumbullimi, por kur erdhën inspektorët e mjedisit vetëm njërit i vendosën gjobë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi