Federer për rekord, rikthehet sërish në fron

Pas më tepër se 5 vitesh, Roger Federer është rikthyer në majë, në sportin e tenisit. Zvicerani tashmë 36-vjeçar ka vendosur një tjetër rekord, pasi u bë sportisti më i vjetër, që kryeson renditjen ATP, të tenistëve, pozicion që për herë të fundit e kishte mbajtur më 4 Nëntor të 2012-ës.

Pas qëndrimit në hije dhe ndenjes së gjatë poshtë tenistëve të tillë si Novak Djokoviç, Andy Murray e Rafael Nadal, dhimbjeve në shpinë, dëmtimit të vitit 2015, si dhe rrëshqitjes 13 muaj më parë deri në vendin e 17 në renditjen botërore, Roger Federer ia doli mbanë për t’u rikthyer me gjithë madhështinë e tij, madje duke grisur që të gjithë rekordet e mundshme të këtij sporti.

Pas triumfit në Australian Open, ku veterani zviceran koleksionoi titullin e 20 Slam në karrierë dhe të tretin përsa i përket kësaj kategorie në harkun e 12 muajve të fundit Roger e ngushtoi diferencën me Rafën në vetëm 155 pikë, e duke kuptuar situatën organizatorët e turneut të Roterdamit i ofruan menjëherë një “wild card”, ftesë në gjuhën e tenisit për të marrë pjesë në turneun e Roterdamit, ku për hir të së vërtetës Federer mungonte prej plot pesë vjetësh.

Në letër veteranit helvet i mjaftonin thjesht 180 pikë për të kaluar tenistin iberik në klasifikimin e përgjithshëm dhe pasi mposhti me radhë pa humbur set belgun Ruben Bemelmans dhe gjermanin Philipp Kohlschreiber, 36-vjeçarit nga Bazeli i nevojitej thjesht fitorja në fazën çerekfinale me holandezin Robin Haase, gjë që e bëri me rezultatin 2-1.

Falë këtij rezultati duke filluar nga dita e hënë kur do të dalë edhe renditja e re botërore Roger Federer do të jetë zyrtarisht numri 1 në klasifikimin e përgjithshëm ATP, për të shijuar javën e tij të 303 në fronin mbretëror të këtij sport./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi