Fati i keq, familja Vata doli nga banesa në tërmetin e parë, por u rikthye në atë vdekjeprurës

Anëtarët e familjes Cara dhe ata të familjes Vata gjendeshin në të njëjtin apartament kur goditi tërmeti.

“Kur ka ra tërmeti i parë ata kishin zbrit nga kati i katërt në katin e parë. Dhe janë strehuar aty që po të bjeri tërmeti tjetër të dalin kollaj”, tregon Fehmi Vata, familjar.

Në familjen Vata atë në natë në katin e 4, po flinin Hajrie Vata nëna e shtëpisë, Ela Vata nusja dhe fëmijët, Santijano dhe Rolejd. Kryefamiljari ishte në punë turn i natës ndërsa babai i fëmijëve ishte emigrant në Greqi. Pas lë kundjeve të para të tërmetit ata kishin dalë jashtë pallatit. Por pas disa minutash kishin hyrë përsëri brenda. Ata nuk ishin ngjitur në katin e 4, por që të ishin sa më afër daljes, ata u strehuan në katin e parë, në apartamentin e Anthi Carës. Prandaj trupat e këtyre viktimave u gjetën në të njëjtin vend.

Familja Vata nga 4 anëtarë, humbi dy prej tyre. Ndërsa dy të tjerë i mbijetuan peshës së betonit që i zuri poshtë.

“Ka dalë nga rrënojat nusja me djalin e madh me gjithë gruan time. Gruaja ka vdekë. Nusja me djalin janë mirë. Kurse djali i vogël 7-vjeç ka ngel brenda, është këtu”, tregon Fehmi Vata, familjar.

Nëna e 7 vjeçarit Rolejd Vata doli e gjallë nga rrënojat bashkë me djalin e madh. Meraku i saj ishte djali i vogël që i kishte humbur nga duart nën rrënoja. Ndërsa priste për trupin e të birit deri në orët e vona pas mesnate, babai i Rolejdit na tregon pengun e jetës së tij.

“E kishte marrë malli për babin. Sa herë flisnim në telefon më thoshte babi kur do vish, unë i thosha edhe një muaj, ai më thoshte janë shumë 1 muaj hajde më shpejt. Kjo do më ngeli peng gjithë jetën”, tregon Servet Vata, babai i Rolejd Vatës.

Fati e deshi që fundi tragjik i këtyre dy familjeve të ishte i përbashkët. Trupat e tyre ishin të fundit që u nxorën nga rrënojat në Thumanë. Sadajana Cara vetëm 21 vjeç ndërroi jetë duke mbrojtur me krahët e saj të voglin Rolejd Vata.

Varrimi i të humburve të familjes Cara, rëndoi mbi fshatin Thumanë më shumë se lëkundjet e tërmetit. Gjashtë arkëmorte u nderuan nga qindra njerëz teksa kaluan për herë të fundit në rrugët e fshatit. Një familje e shuar. Një plagë e pashërueshme. Një brengë e përjetshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi