“Facebook nuk e kishte situatën nën kontroll gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016”

Facebook nuk e kishte situatën nën kontroll gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA-ve në vitin 2016, në aspektin e lajmeve të rreme ose lidhur me pretendimet për ndërhyrje të Rusisë, deklaroi themeluesi, njëherësh drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg.

Pak orë pas publikimit të një deklaratë me shkrim, lidhur me rrjedhjen më të madhe të të dhënave personale në historinë e kompanisë, Zuckerberg u shfaq gjatë një interviste ekskluzive në CNN, në të cilën foli për një sërë temash, në mesin e të cilave ndërhyrja në zgjedhje dhe mbrojtja e të dhënave të përdoruesve.

“Duhet të bëjmë shumë punë në mënyrë që t’u vështirësojmë shteteve siç është Rusia të ndërhyjë në zgjedhje dhe të bëjmë të pamundur përhapjen e lajmeve të rreme nga njerëzit e ligë”, tha Zuckerberg.

Ndonëse Zuckerberg në vitin 2016 e quajti ndërhyrjen e Rusisë “një ide të çmendur”, gjatë intervistës së mbrëmshme foli me tone shumë të kujdesshme, madje duke paralajmëruar një ndërhyrje të mundshme në zgjedhjet të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti për Kongresin.

“Jam i sigurtë se ata janë duke punuar në verzionin 2, të asaj që ka qenë përpjekja e tyre gjatë vitit 2016. Tash do të ketë taktika të reja prandaj do të duhet të sigurojmë se jemi duke monitoruar mirë për t’i bërë ballë”, tha ai.

Zuckerberg shtoi se gjatë zgjedhjeve në Francë në vitin 2017, Facebook-u krijoi disa vegla të cilat përmirësuan punën duke identifikuar ndëhyrjen potenciale.

“Mund ti bëjmë ballë kësaj. Kemi përgjegjësi për një gjë të tillë”, tha kreu i Facebook-ut, duke marrë për shembull zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Indi dhe Brazil.

Në kumtesën e lëshuar më herët gjatë të mërkurës, Zuckerberg mori përgjegjësinë për rastin me kompaninë për analiza me seli në Londër, Cambridge Analytica, për të cilën u tha se ka vjedhur të dhënat personale të mbi 50 milionë përdoruesve të Facebook-ut, të cilat i ka përdorur në zgjedhjet në SHBA 2014-2016, si dhe gjatë Brexit-it.

“Kjo është një prishje e madhe e besimit dhe vërtetë shpreh keqardhjen për atë çfarë ndodhi. Ne mbajmë përgjegjësi për të mbrojtur të dhënat e njerëzve”, tha ai.

Zuckerberg sqaroi se Facebook-u për herë të parë kuptoi për skandalin në vitin 2015, dhe kërkoi nga Cambridge Analytica të fshijë të dhënat, për çka kishte marrë një konfirmim.

Megjithatë, duket se të dhënat nuk ishin fshirë, prandaj nga e shtuna, Facebook po bën ballinat e gazetave.

Zuckerberg u shpreh i gatshëm të dëshmojë në Kongresin amerikan, ndërsa më herët një gjë të tillë e kërkoi edhe Parlamenti i Britanisë së Madhe./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi