F1, Raikkonen shtyn festën e Hamiltonit, fiton Çmimin e Madh të Amerikës (Foto)

Lewis Hamilton u detyrua të presë të paktën deri garën e ardhshme, pasi përfundoi i treti në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, në Austin të Teksasit gjatë mbrëmjes së të dielës, aty ku triumfi i takoi ferraristit Kimi Raikkonen, i cili arrin kështu fitoren e parë në mbi 5 vite.

Rivali i drejtpërdrejtë për titull i pilotit britanik, Sebastian Vettel përfundoi në vendin e katërt, duke bërë që gara për titullin kampion bote të vendoset me shumë gjasë në Meksikë, fundjavën e ardhshme.

Sa i përket garës amerikane, Max Verstappen me Red Bull përfundoi në vendin e dytë, edhe pse u nis nga vendi i 18.

“Urime Kimi! Punë e mirë edhe ti Max. Kjo ishte më e mira që ne mund të bënim sot këtu, megjithatë ishte bukur që kishin një garë”, tha Hamilton, i cili e nisi nga “pole position” garën në kërkim të fitores së 6 në pistën e Austin.

Raikkonen, fitorja e fundit e të cilit daton prej vitit 2013 në Çmimin e Madh të Australisë, u shfaq si zakonisht: një njeri “i akullt”.

“Sigurisht që jam shumë më i gëzuar sesa thjesht që dola i dyti. Ishte një fundjavë e madhe dhe makina ka qenë shumë e mirë gjatë të gjithë kohës”, tha 39-vjeçari finlandez.

Raikkonen, i cili do të largohet për te Sauberi në fund të sezonit, mori kryesimin në xhiron e parë dhe vijoi më pas me strategjinë dhe taktikën e tij deri në fund, për të rrëmbyer fitoren e 21-të në karrierë. Kjo ishte fitorja e parë pas 113 garash, periudha më e gjatë mes dy fitoreve në historinë e Formulës 1, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga italiani Riccardo Patrese.

Shoku i skuadrës së Hamiltonit, Valtteri Bottas e mbylli garën në vendin e 5-të, përpara Nico Hulkenbergut dhe Sainzit, që të dy me Renault. Esteban Ocon me Force India doli në vendin e 8, ndërsa dhjetëshen e plotësuan Kevin Magnussen me Haas dhe Sergio Perez me Force India.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi