F1, Mercedesi prezanton “bishën” e re, do të drejtohet nga Hamilton-Bottas (Foto)

Kampionët në fuqi të botës në garat e Formulës 1 prezantuan me krenari makinën e re, me të cilën do të synojnë të mbrojnë fronin duke nisur nga muaji i ardhshëm.

Mercedesi shpërndau imazhet e para të njëvendëshes favorite për të rifituar titullin e konstruktorëve.

“W10” do të ketë në timon kampionin Lewis Hamilton dhe ambiciozin Valtteri Bottas, një dyshe shpërthyese dhe me ambicie, që vetëm gjermanët mund t’i mbajnë nën të njëjtën çati.

“Çfarë mendoni për makinën e re të këtij sezoni? Unë mezi pres që ta drejtoj këtë mjet për herë të parë. Kam bërë pushime në borë dhe jam shkëputur totalisht për t’u rikthyer në formë. Jam plot energji dhe gati të sulmoj që në garën debutuese”, tha Lewis Hamilton, kampion bote në Formulën 1.

Me imazhin tradicional gri dhe me motorin e fuqishëm, Mercedesi synon titullin e 6 radhazi kampion bote. Pjesët anësore të makinës janë modifikuar, duke zhvendosur sistemin “DRS” më lart, ndërsa inxhinierët kanë gjetur edhe zgjidhje për amortizatorët, që garantojnë më tepër stabilitet në pistë.

Premiera e Botërorit të Formulës 1 do të jetë më 17 mars, në pistën e Melbournit në Australi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi