“Është koha të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e gjenocidit”

Zyrtarët e lartë të vendeve të rajonit kanë përcjellë mesazhet e tyre në lidhje me 24-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur se është koha të kërkohet drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi.

Në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale, Meta shkruan se, “Sot në 24-vjetorin e masakrës më të madhe në zemër të Evropës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm”.

“Duhet të ndërgjegjësohemi e përgjegjësohemi që bashkëjetesën etnike-fetare dhe kulturore ta ruajmë e ta forcojmë, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, në mënyrë që tragjedi të tilla t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur të historisë së rajonit tonë”, ka shkruar Meta.

Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar një mesazh në nder të viktimave civile dhe njerëzve të pafajshëm për përvjetorin e 24-të të gjenocidit të Srebrenicës.

“Kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor. Masakra në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan nga regjimi i Millosheviqit dhe vartësve të tij, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar. Sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.

Ndërkohë edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka deklaruar se pa kurrfarë dyshimi në Srebrenicë është kryer gjenocid dhe se këtë e kanë pranuar të gjitha institucionet gjyqësore ndërkombëtare. Xhaferi po ashtu kryeson delegacionin e vendit në shënimin e 24-vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës.

“Kuvendi i Maqedonisë së Veriut që në vitin 2010 ka sjellë rezolutën për Srebrenicën, me të cilën miratuam rezolutën e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian dhe me këtë u bëmë shteti i cili pranon se në Srebrenicë është kryer gjenocid ndaj njerëzve të pafajshëm, dhe në asnjë mënyrë kjo nuk mund të definohet ndryshe, duke pasur parasysh rrethanat dhe qëllimet e një ekzekutimi të tillë të njerëzve të pafajshëm”, ka thënë Xhaferi në një prononcim për AA në Potoçari.

Gjenocidi në Srebrenicë

Mbi 8 mijë muslimanë burra dhe djem boshnjakë u vranë pasi në korrik të vitit 1995 forcat serbe në Bosnjë sulmuan Srebrenicën, e shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurt”, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të zbatuar paqen.

Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të zhvatnin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shpallur Srebrenicën “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, zona e OKB-së u pushtua nga trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, që më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Trupat holandeze nuk arritën të vepronin, pasi forcat serbe pushtuan zonën duke vrarë rreth 2 mijë njerëz në një ditë të vetme më 11 korrik.

Rreth 15 mijë njerëz të Srebrenicës u strehuan në malet përreth, por trupat serbe i ndoqën dhe vranë 6 mijë prej tyre në pyje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi