Erdogan: Integriteti territorial i Moldavisë i rëndësishëm për ne

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës në Moldavi ka deklaruar se “integriteti territorial i Moldavisë është i rëndësishëm për ne”.

“Integriteti territorial i Moldavisë është i rëndësishëm për ne. Ashtu si në të kaluarën, ne kemi nënvizuar se Turqia do të qëndrojë pranë bashkatdhetarëve tanë edhe në periudhën e ardhshme. Por, ajo që ne dëshirojmë të shohim është që Gagauzia në unitet të vazhdojë përpjekjet për zhvillim krah për krah me Moldavinë. Për këtë Turqia me të gjitha institucionet e saj është e gatshme të sigurojë të gjitha nxitjet, mbështetjen dhe lehtësirat e nevojshme për Gagauzinë”, tha Erdogan në konferencën e përbashkët për media pas takimit me presidenten e rajonit autonom të Gagauzisë, Irina Vlah dhe presidentin e Moldavisë, Igor Dodon.

Erdogan në fjalën e tij tha se ka patur bisedime të frytshme dypalëshe me presidentin Dodon dhe mes delegacioneve dhe se kanë nënshkruar marrëveshje për këshillin strategjik. Presidenti turk po ashtu tha se pas takimit me kryeministrin Pavel Filip janë nënshkruar pesë marrëveshje.

Ai thekson se kryesisht Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA), bashkitë, institucionet zyrtare, Ministria e Rinisë dhe Sportit, Ministria e Transportit, Ministria e Mjedisit dhe Urbanizimit dhe organizatat joqeveritare do të bashkëpunojnë me autoritetet moldave për shumë projekte.

“Në lidhje me sigurinë këtu mbrëmë kemi dorëzuar automjetet ‘TOMA‘ për forcat e sigurisë. Deri më sot ne kemi qëndruar pranë jush pa bërë asnjë dallim. Kemi treguar përpjekjet më të mundshme për zhvillimin e të gjitha rajoneve të Moldavisë. Shpresoj gjithashtu që edhe pas kësaj do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Moldavisë dhe turqve të Gagauzisë”, tha Erdogan.

Presidenti i Turqisë tha se “jemi të lumtur të shohim vullnetin e Moldavisë dhe Gagauzisë për të jetuar së bashku në paqe dhe qetësi që nga viti 1994”.

“Gagauzët, janë një nga elementët kryesorë të Moldavisë, ata përbëjnë lidhje gjaku mes nesh dhe fqiut tanë, Moldavisë. Prania e gagauzëve marrëdhënien Turqi-Moldavi e bën atë edhe më të veçantë. Gjatë takimit tonë me presidentët kemi vërejtur se jemi të të njëjtit mendim për forcimin e bazës ligjore në lidhje me statusin e Gagauzisë. Me këtë qasje jemi dakordësuar që me mbështetjen e presidentit dhe qeverisë, si dhe me vendosmërinë e krerëve të Gagauzisë të bëhen hapa konkretë për funksionimin e autonomisë denjësisht”, potencoi Erdogan./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi