Erdogan dhe liderët botërorë urojnë Stevo Pendarovskin

Me rastin e zgjedhjes për President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pranoi letra me urime nga një numër i madh i liderëve botërore dhe organizatave ndërkombëtare, mes të cilëve edhe nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Siç bëjnë të ditur nga kabineti i presidentit Pendarovski, në letrën e dërguar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thuhet: “Dëshira jonë më e sinqertë është që raportet me Maqedoninë e Veriut, të cilën e shohim si kyçe për ardhmërinë dhe stabilitetin e Ballkanit, fuqishëm t’i lëvizim drejt së ardhmes. Në kuadër të kësaj, do të vazhdojmë të jemi mbështetësi më i afërt në procesin e integrimit në institucionet euroatlantike”.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në urimin e tij dërguar presidentit Pendarovski, shkruan se “sot, dy popujt tanë janë më afër se kurdoherë më parë”.

“SHBA fuqishëm mbështet Maqedoninë e Veriuit, e cila fitoi vendin e saj të merituar në institucionet perëndimore dhe veçanërisht shpreson se do ta përshëndesë së shpejti Maqedoninë e Veriut si aleat i 30-të i NATO-s. Marrëveshja historike e Prespës paraqet një shembull të guximshëm me të cilin forcohet siguria dhe prosperiteti i popullit të Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit. Janë për t’u përshëndetur përpjekjet e vendit tuaj për parimet demokratike, sundimin e së drejtës, llogaridhënia e qeverisë dhe lufta kundër korrupsionit. Shpresoj në thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, thuhet në urimin e presidentit amerikan.

Në letrën dërguar nga Presidenti i Kinës, Xi Jinping, theksohen raportet miqësore mes dy vendeve.

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i dëshiroi sukses presidentit Pendarovski në kryerjen e funksionit të përgjegjshëm, shëndet dhe mirëqenie. “Raportet mes Federatës Ruse dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut bazohen në traditat e mira të afërsisë kulturore dhe shpirtërore. Jam i bindur se avancimi konstruktiv i raporteve tona do t’u konvenonte popujve tanë dhe gjithë Europës”, shkruan presidenti Putin.

Letër urimi me rastin e ardhjes në funksion, Pendarovski pranoi edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Elizabeth II; Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier; Presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Macron; Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella; Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg; Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Përpos tyre, presidenti Pendarovski pranoi urime edhe nga homologët e tij nga shtetet fqinje dhe nga shtete tjera të botës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi