E panjohur nga ’90-ta: kur të burgosurit politikë i çuan fshehtaz një letër Berishës dhe kryedemokrati nuk e botoi

Është temë më vetë debati ajo se pse PD në fillimet e saj nuk i kishte fare “në hesap” të burgosurit e të përndjekurit politikë. Këtë e tregon një letër e rrallë që i është dërguar kret demokrat Berisha në dhjetor ’90-të nga një grup të dënuarish të burgut në Kosovë të Madhe, Lushnje.

Bëhet e ditur kjo nga njëri prej tyre, Fatos Lubonja, i cili qe ndër ata që vitet e fundit të dënimit i kreu aty, prej nga dhe u lirua më pas me ardhjen e erës demokratike.

Edhe vetë ai që bën me dije se kjo letër që iu dërgua Berishës, u “shpërfill” prej këtij të fundit.

“Më 19 Dhjetor 1990, pra vetëm disa ditë pas formimit të Partisë Demokratike, sëbashku me një grup bashkëvuajtësish i kam dërguar ilegalisht nga burgu Sali Berishës një letër me kërkesën që të botohet në shtypin e PD-së. Arsyet pse ajo nuk e ka pa dritën e botimit nuk i di mirë, por pasi u zhburgova dhe pyeta se pse kjo letër nuk u botua, dikush më tha se asokohe ishte kompromentuese për PD-në të tregonte se kishte lidhje me të persëkutuarit politikë”, shkruan Lubonja në përmbledhjen e tij publicistike “Liri e kërcënuar”, botim i afro 20 viteve më parë.

Veç kësaj, pra aspektit denoncues të faktit se PD-ja e nisi moralisht jo mirë rrugëtimin e saj në raport me viktimat e komunizmit, letra ka brenda dhe vizionin e një pjesë të burgosurish mbi Shqipërinë post-komuniste, i mbingarkuar nga një idealizëm naiv, sidomos në funksion të asaj që ato vite do ishte kredo e kohës nga një pjesë e mendimit elitar shqiptar: nevoja për pajtim kombëtar.

Ngjan naiv parë me syrin e sotëm, por aspak nga ai i djeshmi, kur sheh sot se çfarë plagësh plus ka krijuar gjuha politike, ku burimin e ka nga e djeshmja nën komunizëm.

Letra e plotë:

Zotit Sali Berisha, Nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike

                                                                                                            “Pas lotëve sytë shohin më mirë…”

                                                                                                                                                            Populli                                  

Nga burgu i Kosovës, që besojmë ta dini se ndodhet në një humbëritë mes Lushnjes dhe Elbasanit, po ndjekim dhe ne, me aq sa mundemi, kthesat dramatike që po përjeton Shqipëria, Atdheu ynë, dhe po i ndjekim jo thjesht si spektatorë indiferentë, as thjesht si të ngujuar që presin, me rastin e këtyre zhvillimeve, të zhburgohen prej këtej e të fitojnë lirinë individiuale, por dhe duke diskutuar e medituar rreth fateve të kombit tonë, rreth së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së tij, rreth rrugëve dhe mënyrave optimale se si të arrihet sa më shpejt dhe sa më pa dhembje për popullin një demokraci e njëmendtë dhe e qëndrueshme, duke kërkuar pra, fundja më në fund, të gjejmë dhe në pozicionin dhe disponimin tonë ndaj rrymave dhe tendëncave politike që shohim e ndjejmë të ravijëzohen, ku haptas e kun ë mënyrë latente, ku paqësisht e ku vrullshëm, në bocetin pluralist të Shqipërisë.

Me aq sa mund të vërejmë e analizojmë prej këndej atë që mund të quhet tashmë opozita shqiptare ndaj partisë në fuqi, konstatojmë se mund të dallohen aty, ndonëse jo shkoqur dhe në vijë ndarëse të prerë, dy rryma kryesore: një rrymë të moderuarish, që duket se tenton të grupohet rreth Partisë tuaj Demokratike dhe një frymë, po e quajmë radikale, që e manifestoi vullnetin e vet politik më vrullshëm (edhe nëpërmjet ndonjë eksesi), në manifestimet e protestës së Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Durrësit (me aq sa dimë ne).  Mendojmë se, nëse është e vërtetë, sikurse besojmë, se ekziston një diferencë e tillë, e shfaqur apo latente, një akt apo në potencë, mendojmë pra se shkak i saj nuk është divergjenca e pikëpamjeve politike, të cilat në Shqipëri ende nuk mund të thuhet se janë kristalizuar, as dhe ndonjë diferencë e lehtë në shtresëzim social apo nivel intelektual, por ajo që nga partia në fuqi është quajtur politikë e goditjes, e mbështetur në parimin antihuman të luftës së klasave. Në mënyrë me eksplicite duam të themi se, ndërsa në pjesën më të madhe tuajën, që u bëtë nismëtarë të krijimit të Partisë Demokratike, nuk ka rënë direkt dhe pa mëshirë goditja e së ashtëquajturës “diktaturë e proletariatit”, madje shumë prej jush mund të jenë bij e farefis komunistësh, mbi krahanën tjetër, e cila fatkeqësisht ka qenë mjaft e madhe, kjo goditje ka qenë direkt dhe pa mëshirë, duke marrë hera-herës dhe trajta genocidi. Kjo diferencë kujtojmë se është një nga shkaqet thelbësore që bën të përjetohen në mënyra të ndryshme, qoftë emocionalisht, qoftë intelektualisht, qoftë moralisht kthesat dramatike në Shqipëri. Kjo diferencë bën që, ndaj partisë në fuqi, ju të jeni më shumë tolerantë dhe komprensivë se sa intrasigjentë, më shumë të prirur kah debate dhe dialogu se sa konfrontimi dhe konflikti, më shumë për frymën e pajtimin se sa armiqësimit, më shumë për ruajtjen e rindërtimin e atyre vlerave që janë ndërtuar në kohën e saj, se sa për shkatërrimin e gjithçkaje ajo ka ndërtuar. Kjo diferencë bëri që deri diku të thuhet e anasjelltas për një pjesë të krahanës tjetër, por mendojmë gjithashtu se njohja e kësaj diference kërkon më shumë komprension ndaj ndonjë fenomeni ekstremist të manifestuar prej kësaj pjese që duket më pak e disponuar për të bërë kompromisin mess ë shkuarës dhe së tashmes, kompromis që, për mendimin tonë, është një domosdoshmëri historike.

Le të shpjegohemi më tej rreth pozicionimit dhe disponimit tonë. Na e thotë mendja se ne, të burgosurit politikë, që kemi vuajtur më shumë se kushdo nga ky regjim, që konsiderohemi edhe për këtë si kundërshtarët më të skajshëm të partisë që ai përfaqëson, shumëkushi,  a priori, na vendon në anën më esktreme të krahanës apo rrymës që e quajtëm radikale; shumëkush sheh tek ne vetëm forca destruktive, të etura për revansh, hakmarrje dhe larje hesapesh. Kanë plot arsye për të mënduar kësisoj, por jo të gjitha arsyet. Është e vërtetë se ne burgimi n aka dhënë shumë vuajtje, dhunime, poshtërime, persekutime (për vete dhe familjet tona) të cilat afërmendsh të mbushin me urrejtje kur mendon se janë të padrejta, kur duket qartë si drita e diellit se burgimi ynë nuk i ka shërbyer ligjit, demokracisë dhe lirisë, përkundrazi, arbitraritetit, diktaturës dhe skllavërisë, por, me anë tjetër, burgu na ka falur, përmjet asaj vetie pastruese dhe fisnikëruese që i atribuohet vuajtjes, jo vetëm urrejtje por dhe ndonjë virtyt. Mbi të gjitha n aka bërë të kuptojmë deri në palcë se çështë dhunimi, poshtërimi, persekutimi, prandaj dhe çfarë krimi kryen njeriu kuru a shkakton atë të tjerëve, dhe, së dyti na ka dhënë mundësinë e madhe, këtu në vetminë dhe izolimin tonë, të mendojmë e rimendojmë më gjatë e më thellë për jetën dhe filozofinë e saj, të zhvillojmë më shumë atë që përbën diferencën specifike të njeriut nga kafsha: arsyen. E pra, arsyeja, ky fakultet suprem, privilegj i njeriut, që ka ndërhyrë gjithëherë në afeksionet e pasionet që kanë vrundulluar zemrën e tij për t’i frenuar, moderuar, përudhuar, shpesh dhe për t’i shuar, na bën të mendojmë dhe konkludojmë se, për hir të atyre voçrrakëve shqiptarë, të cilët presin prej nesh më shumë bukë, më shumë arsim, më shumë dashuri dhe jo mjerimin, injorancën, urrejtjen që sjell anarkia dhe lufta civile, është i domosdoshëm kompromisi dhe pajtimi kombëtar.

Arsyeja na ndihmon të mos e mbajmë kokën vetëm prapa, të mos shohim vetëm varret e së kaluarës (për t’u mbushur me ndenja urrejtjeje dhe hakmarrje), port ë shohim dhe përpara me gëzim dhe shpresë për jetën në liri dhe demokraci. Arsyeja në shtyn t’u referohemi historisë së popujve më të qytetëruar dhe të shohim se si, në situata të tilla të ngjashme, një Napoleon Bonopart – pajtonjës i kombit frëng pas një decade përçarjeje – bënte thirrje asokohe popullit të vet të falte sa qe e mundur, të fashiste urrejtjen, të kalonte fshirësen mbi 10 vjet krime e tmerre; të “pinte”, sikurse shprehet historiani me gjuhën e mithologjisë, “ujët e Letes”.

Arsyeja na bën t’i kthehemi dhe njëherë asaj thënies romake “Fiat justicia pereat mundus”, të cilën e kemi pasur aq për zemër, teksa kërkonim drejtësi dhe nuk e gjenim, e të mendojmë se ndoshta, për hir të interesave të kombit, është më mirë të themi: “Të bëhet pajtimi, le të cënohet drejtësia”

Dhe në fund, por jo më pa rëndësi, gjithëpo arsyeja në bën të themi se, kur flasim për kompromis dhe pajtim kombëtar, nuk kemi parasysh kompromisin dhe pajtimin me të keqen – sipas mendimit tonë, të keqen duhet doemos ta ekzorsojmë dhe dënojmë që të mund të ndihemi vërtet në liri -, por kemi parasysh se, mbi të gjitha, duhet të nxjerrim jashtë dhe të asgjesojmë frymën e saj, jo trupat fizikë që dashur pa dashur, me vullnet e pa vullnet, u bënë përçuesit e saj; aq më tepër kur dihet se përçuesit kryesorë të kësaj të keqeje, sinteza e saj, tashmë nuk ekzistojnë fizikisht. Gjithëpo në këtë ravë shtojmë se ekzorcizmi dhe dënimi i së keqes pritet të bëhet më së pari nga partia që e ka pasur dhe e mban ende atë në gji, çka është, mendojmë ne, kushti i domosdoshëm i pajtimit kombëtar.

Për gjithë sa thamë më lart e për gjithë sa ndjejmë dhe mendojmë, por s’qemë të zot t’i shprehim në këtë letër, krijimin e Partisë tuaj Demokratike ne e konsiderojmë jo vetëm si shpresën shqiptare për liri dhe demokraci, për rimëkëmbje ekonomike, për ballafaqimin dinjitoz me Europën, për zgjidhjen e problemit të Kosovës…por, dhe mbi të gjitha, si faktorin esencial që mund dhe duhet të realizojë pajtimin dhe kohezionin e popullit shqiptar, prandaj e përshëndesim atë fuqimisht dhe me zemër.

Të rrojë Partia Demokratike!

Kosovë e Madhe, 19.12.1990

Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/                              

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi