“E djathta ekstreme nuk do ta zhbëjë BE-në, por ta kontrollojë siç është”

Europa bëhet gati për betejën më të fundit: zgjedhjet për parlamentin europian të Majit 2019. Partitë populiste do të përpiqen të marrin më shumë pushtet në BE pas përparimit që panë në vitin 2014. Ngjarjet dramatike që kemi dëshmuar dy javët e fundit në Gjermani e Itali janë si parashikim i asaj që pritet në vazhdim.

Thuhet shpesh se partitë nacionaliste, të vëna kundër sistemit aktual, kanë si qëllim të shpërbëjnë projektin e BE-së. Por rreziku më i madh tani është përpjekja e tyre për ta tërhequr drejt qëllimeve të veta. Çështja e emigrimit është pikënisja e një lufte kontinentale për pushtet, që vë përballë njëra-tjetrës dy kahe të ndryshme parimore që duhet të mbajnë Europën të bashkuar. Njëri kah ka parime liberale demokratike, bazuar në idenë e një shoqërie të hapur; tjetri është jo-liberal dhe jo-tolerant, bazuar në mendësinë e vetë-fortifikimit. Kjo ka pasoja ndërkombëtare. Drejtuesit në Uashington e Moskë, të cilët janë kundër BE-së, duan të përfitojnë nga rrëmuja, ndaj luajnë rolin e tyre nxitës.

Qershori i vitit 2018 e ka tronditur rendin liberal të Europës si kurrë më parë. Së pari, shfaqja e forcës në Itali nga e djathta ekstreme ( i pari vend themelues i BE-së që drejtohet nga një qeveri ku mbizotëron e djathta ekstreme), me refuzimin e anijes “Aquarius”, me emigrantë. Më pas, kancelari 31-vjeçar i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili qeveris me Partinë e Lirisë, një institucion i krijuar në vitet 1950 nga ish nazistët. Ai njoftoi krijimin e një “aksi vullnetmirë” në Europë, që do të përbëhet nga mendjet e ngjashme populiste në Itali dhe Hungari.

Më pas erdhi sulmi ndaj pushtetit të Angela Merkelit në Berlin. Kancelarja ka tani në ultimatum, dy javë kohë të dhëna nga ministri i saj i brendshëm, Horst Seehofer, udhëheqës i Unionit Social Kristian të Bavarisë, një parti që ka përvetësuar gjithë retorikën e AFD-s për emigrantët. Samiti i BE-së që do të mbahet në fund të këtij muaji, ku pritet të mbizotërojë tema e emigrimit, ka gjasa të kthehet në një kaos të hidhur.

Sikur të mos mjaftonin këto, që përtej Atlantikut, Doald Trump vendosi se kësaj situate i mungonte edhe një nga postimet e tij më provokuese në Twitter. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë me presidentët amerikanë, Trump mbështeti rënien e mundshme të Merkelit duke shkruar: “Gjermanët po i kundërvihen udhëheqësve teksa emigrimi trazon koalicionin e brishtë të Berlinit.” Pak më parë Trump kishte mbështetur irredentizmin në Europë duke deklaruar: “Krimea është pjesë e Rusisë sepse njerëzit atje flasin rusisht.” Kush tjetër e ka dëgjuar me shumë qartësi këtë mesazh: ndoshta irredentistët e të djathtës ekstreme hungareze, të cilët ende ëndërrojnë Hungarinë e Madhe, që shkon përtej kufijve të tanishëm? Këtu lejohet një citim nga Yeats: “Gjërat shthuren, qendra nuk mban më. Anarkia përhapet nëpër botë.”

“Aksi”, një term që sjell ndërmend ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë një zgjedhje e pafajshme fjalësh nga Kurz, por ndoshta dhe nuk është. Ekziston një lidhje ideologjike që e bën të ngjashëm me Viktor Orbanin në Hungari, Seehoferin në Bavari dhe me Salvinin në Itali. Po të shihni hartën, duket trajta e një Europe transalpine e danubiane e konservatorizmit dhe nacionalizmit të së djathtës ekstreme. Me afrimin e zgjedhjeve në Bavari, shtetin e fuqishëm gjerman të Seehoferit; me marrjen e presidencës së Këshillit Europian nga Austria më 1 korrik, zonat gjerman-folëse e katolike të Europës duken të vendosura të përcaktojnë debatin për të ardhmen e Europës.

Trump mund të mos jetë në dijeni të simbolizmave të errëta, por jeni të sigurt që Vladimir Putini nuk është i tillë. Disa nga këto forca politike kanë shenja të qarta afrimiteti me drejtuesin e Rusisë. “Partia e Lirisë” në Austri, për shembull, ka pasur partneritet zyrtar me partinë “Rusia e Bashkuar” të Putinit, dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që të hiqen sanksionet e vëna nga BE, njësoj siç ka bërë dhe Seehoferi. Ndërkohë, në mes të ekstravagancës së botërorit të futbollit, thuhet se Putini po pret një telefonatë nga Uashingtoni për të organizuar një takim me presidentin amerikan Trump, takim që Kurz do të donte ta organizonte në Vjenë.

Ajo që Seehofer, Orbani dhe të tjerët duan të bëjnë bashkërisht, është rrëzimi i vlerave të rendit liberal brenda BE-së. Duan ta riformojnë sipas besimeve të tyre kristiano-konservatore, të bazuara në idenë e nacionalizmit. Duan ta bëjnë Perëndimin të duket sikur është duke u sulmuar nga njerëz jo të bardhë e myslimanë, sikur po kërcënohet nga migrimi. Ky është vizioni që përdori dhe Trump në fjalimin e vitit 2017, në Varshavë.

Ata nuk duan ta ndajnë Europën, por ta marrin nën kontroll. “Aksi” do të zgjerojë degët në qeverinë e Polonisë, të drejtuar nga populistët, si dhe në disa pjesë të Ballkanit. Këta njerëz mund të mos bien dakord për gjithçka (për shembull Salvini kërkon plane për zhvendosjen e refugjatëve në BE, gjë që Orbani e refuzon) por interesat e tyre janë të rreshtuara aq mirë sa ta përdorin këtë çast për të nisur një sulm të përbashkët kundër institucioneve të BE-së.

“Aksi” ka si synim të heqë qafe Merkelin dhe të vërë nën kontroll “Partinë Popullore Europiane” (PPE), e cila ka mbizotëruar parlamentin europian për shumë vite, dhe që përbëhet nga forcat e djathta. PPE ka qenë si një mjet ndihmës për hegjemoninë e Merkelit në BE gjatë këtyre viteve, dhe është një prej arsyeve që Merkel ka refuzuar të marrë masa kundër Orbanit dhe partisë së tij, Fidesz.

Këta drejtues po bashkohen, po përpiqen të marrin BE-në që njohim e ta fusin në dorën e nacionalistëve populistë. Merkeli është shënjestra e parë e një përpjekjeje me synime shumë më të mëdha. Dhe mos u gënjeni nga fjalët e një Parlamenti Europian të pafuqishëm: nuk ka rëndësi nëse populistët marrin kontrollin, sepse vendimet ligjore në parlament merren në mënyrë të përbashkët, përkrah Këshillit të Ministrave.

Orbani, që flet më hapur nga të gjithë, e bëri shumë të qartë strategjinë në një fjalim të javës së shkuar. Ai sugjeroi se PPE duhej të ndryshonte, nëse donte të mbijetonte. Ai madje kërcënoi se do të ngrihej një formacion politik anti-emigrim, me shumë vende të BE-së në përbërje, nëse PPE nuk është gati të rinovohet me këto kushte. Çfarë mbetet për t’u bërë? Presidenti francez, Manuel Makron, e ka joshur që tani Kurzin në pallatin Elize, edhe pse është me të djathtën ekstreme. Makroni u takua me Merkelin të martën në një kështjellë në veri të Berlinit, ku diskutuan një plan për konsolidimin e Eurozonës. Nga Europa nuk vijnë vetëm lajme të këqija. Spanja ka një qeveri të re të qendrës së majtë. Ekonomia e BE-së është duke u përmirësuar dhe sondazhet kanë treguar se mbështetja mes qytetarëve është rritur.

Por për mendjet demokratike nëpër Europë, kjo është koha për të bërë një zgjedhje të qartë. Nuk është e thënë të jesh i fiksuar me historinë që të dish se kur “bisha e ashpër kërruset, më në fund i ka ardhur ora” (prapë Yeats), ndaj forcat kundër së djathtës ekstreme duhet të bashkohen.

Përplasjet e të majtës ekstreme me ata të qendrës janë kthyer në diçka që duket si formë hutimi. Kritikat për deficitet demokratike të institucioneve të BE-së, tani për tani janë ekzagjerime për zhurmë. Le të mbrojmë atë që kemi. Më 14 Qershor, në Parlamentin Europian, e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme votuan bashkërisht kundër rezolutës që kërkonte lirimin e të burgosurve politikë në Rusi. A do të kishin votuar të dyja palët kundër lirimit të fëmijëve emigrantë që mbahen në kafaze nga Amerika e Trumpit? Disa njerëz duhet t’i qartësojnë përparësitë e tyre para se të jetë shumë vonë.

Natalie Nougayrède, the Guardian,

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi