Dyshime për manipulime me listat për operime jashtë vendit

Qytetarët nuk kanë qasje të barabarta në shërbimet që ofrojnë institucionet publike shëndetësore, thonë përfaqësuesit e Shoqatës për të drejtat e pacientëve në Kosovë.

Rastet që janë raportuar në këtë shoqatë kanë qenë kryesisht ndërrimi i listave të pritjes së pacientëve që kanë pasur terminë për operacion, mungesa e barnave esenciale, por edhe qasja jo e barabartë në trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Kështu ka thënë Besim Kodra, drejtues i Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.

“Ka pasur ankesa nga pacientët për listën e barnave esenciale, për listë të pritjes, që disa lihen të presin, e disa futen pa radhë. Pra, kjo tregon që nuk e kanë qasjen e barabartë”.

“Pastaj problem më madhor e shoh fondin për trajtim jashtë vendit. Kemi pasur ankesa se disa janë dërguar jashtë vendit e disa të tjerë jo. Në zyrën e ankesave kanë ardhur raste kur pacientët në listë për operim, janë hequr dhe është futur dikush tjetër. Pra, nuk është qasja e barabartë mes pacientëve”, ka thënë Kodra.

Vetë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se qasja e pacientëve në shërbime cilësore shëndetësore, nuk është e kënaqshme.

Por, sipas tij, aktualisht po punohet në drejtim të përmirësimit të gjendjes.

“Me qasje ne nënkuptojmë që përpos të fuqizojmë mjekësinë primare, po ashtu të konsiderojmë(shqyrtojmë) kualitetin e shërbimeve që mos t’i kemi situatat që ekzistojnë sot që njerëzit te shërbimi mjekësor, pa pasur nevojë të kenë njerëz të njohur, po të kenë qasje të lehtë jodiskriminuese, fer dhe ta marrin shërbimin e merituar”.

“Unë nuk jam i kënaqur me këtë indikator dhe ndryshimi do të krijohet duke i rritur investimet, sistemi menaxherial të ndryshohet dhe atëherë do të shohim se ku ka ngecje dhe cili është faktori që po e shkakton ngecjen. Është faktori njeri që nuk dëshiron ta kryejë punën e vet, apo është mungesa e aparaturës së caktuar e që do ta blejmë atë, apo nëse nuk kemi mjek të ndonjë lëmi, do ta trajnojmë”, ka deklaruar Ismaili.

Ndërkaq, nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se gjendja në shëndetësi, patjetër që kërkon përmirësim.

Ardita Tahirukaj, udhëheqëse e zyrës së OBSH së, ka deklaruar se qëllimi i sistemit shëndetësor, do të duhej të jetë mbulimi shëndetësor i përgjithshëm, e që do të thotë se të gjithë njerëzit mund të kenë qasje në shërbimet cilësore shëndetësore, ku dhe kur kanë nevojë për to, pa u përballur me vështirësi financiare.

Kjo, pasi, siç thotë Tahirukaj, është e drejtë themelore e njeriut, një vizion që OBSH-ja e ka ndjekur në partneritet me shtetet që nga themelimi i saj para 70 vjetësh.

“Shëndeti është pasuria jonë më e madhe dhe nuk duhet të shihet si një luks, i cili mund të gëzohet vetëm nga më të privilegjuarit”.

“Ne të gjithë përfitojmë në aspektin social, ekonomik dhe nga ai mjedisor nga një botë, e cila synon shëndet për të gjithë. Është koha që së bashku të përshpejtojmë përpjekjet tona për të arritur qëllimin e përbashkët për mbulim shëndetësor të përgjithshëm edhe në Kosovë”, ka theksuar ajo.

Për gjendjen në fushën e shëndetësisë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se e sheh gjendjen aktuale në shëndetësi si shqetësuese dhe ka ftuar të gjithë partnerët, vendorë e edhe ata ndërkombëtarë, që të ndihmojnë në përmirësimin e këtij sektori./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi