Dreshaj: Jemi në bishtin e pandemisë, nëntë pacientë me Covid-19 në Infektive

Nëntë pacientë me COVID 19 janë duke u trajtuar sot në Klinikën Infektive, derisa katër prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, tre me oksigjeno terapi dhe një është në gjendje kritike.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, mjeku kujdestar në Klinikën Infektive, Shemsedin Dreshaj, i cili tha se në pritje të rezultatit të testit janë edhe dy persona.
Dreshaj theksoi se pacientë që janë në gjendje të rëndë Klinike janë të moshës së shtyrë.

“Aktualisht në klinikën Infektive janë të hospitalizuar 11 pacientë, prej tyre 9 janë të konfirmuar pra me Covid-19 dhe 2 pacientë janë në pritje të rezultatit i cili do të bëhet në ditën e sotme…Aktualisht në klinikë prej tyre 9 pacientëve që i kemi të konfirmuar, 4 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, 3 me oksigjeno terapi dhe 1 është në gjendje kritike, i intubuar dhe me aparat, ndërsa pacientët tjerë janë relativisht stabil”, deklaroi Dreshaj.

Sipas Infektologut Dreshaj, me uljen e numrit të të infektuarve me COVID 19, i cili mbrëmë ishte zero, pandemisë po i vije fundi.
“Kemi pacient të moshave të ndryshme mirëpo këtë pacientë që janë në gjendje të rëndë Klinike janë të moshës së shtyrë….Unë mendoj që jemi në bishtin e pandemisë, ashtu si të gjitha shtetet e rajonit të cilat janë aktualisht dhe mendoj që po i vije fundit”, tha Dreshaj.

Mbrëmë nuk ka pasur asnjë rast të ri pozitiv me COVID 19. Derisa nga data 08 shkurt deri më 24 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.262 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi