“Do t’i thellojmë më tej marrëdhëniet mes Turqisë dhe Afganistanit”

Ambasadori i Afganistanit në Turqi, Abdul Rahim Sajed Xhan, i cilësoi si “shumë të mira” marrëdhëniet mes dy shteteve, duke thënë se do të punojnë për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Sajed Xhan, i cili mori detyrën në Ankara më 16 janar, pasi presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ia paraqiti kredencialin, dhe vlerësoi marrëdhëniet Turqi-Afganistan, gjatë vizitës së Shefit të Departamentit për Gjuhë të Huaja i AA-së, Mehmet Ozturk.

Sajed Xhan tha se është ndier shumë i gëzuar kur ka mësuar për emërimin e tij në Ankara, për arsye të, siç thotë ai, dashurisë ndaj Turqisë.

“Populli i Afganistan e do shumë presidentin tuaj dhe gjithnjë lutet për të. Populli ynë e sheh Turqinë si një nga vendet muslimane të zhvilluara dhe moderne dhe si model të botës islame. Secili dëshiron të arrijë një nivel të këtillë të zhvillimit, një demokraci dhe drejtësi të këtillë”, tha ambasadori afgan.

Duke theksuar se gjatë detyrës së tij do të përpiqet që me tërë përvojën të thellojë edhe më tepër marrëdhëniet dypalëshe, Sajed Xhan tha: “Ne kemi vlera të përbashkët me Turqinë nga aspekti historik dhe kulturor. Falë Zotit, aktualisht nuk kemi ndonjë problem me fqinjët dhe rajonin tonë. Siç thashë më parë, populli afgan e do Turqinë, të cilën e sheh si vend musliman modern”.

Sipas tij, dy shtetet kanë veçori të ngjashme kulturore edhe në jetën sociale, ushqime dhe strukturë gjeografike të ngjashme.

– “Do t’i thellojmë tutje marrëdhëniet tona”

Sajed Xhan theksoi se mes Turqisë dhe Afganistanit si dy shtete muslimane ekzistojnë marrëdhënie që datojnë prej një kohe të gjatë, duke shtuar se pas marrjes së detyrës do të zhvillojë vizita mirësjelljeje për të njohur më shumë zyrtarë turq.

Në mesin e prioriteteve, tha ai, do të jetë zbatimi i programeve që do të zhvillohen në bashkëpunim mes dy vendeve.

“Këtu kemi shumë studentë. Do të përpiqem të rrisim numrin e studentëve afganë në Turqi. Po ashtu, do të përpiqem të ngrisim edhe potencialin për biznes dhe investime mes Turqisë dhe Afganistanit. Populli afgan ka nevoja në fushën e shëndetësisë. Ata vijnë për trajtim këtu, meqë atje ka vetëm disa spitale me pajisje të plota. Ne duam që edhe në Afganistan të ndërtohen spitale me pajisje të njëjta dhe mjekët turq të vijnë këtu”, tha ambasadori Sajed Xhan.

Mes dy shteteve ekziston bashkëpunim edhe në fushën e sigurisë dhe atë ushtarake, tha më tej ambasadori afgan, duke shtuar: “Turqia, veçanërisht përmes iniciativave miqësore të presidentit tuaj, po përpiqet të inkurajojë fqinjin tonë, Pakistanin, për ta mbështetur Afganistanin në luftën kundër terrorit dhe për arritjen e paqes dhe stabilitetit”.

Ambasadori afgan përmendi edhe rëndësinë e vizitave dypalëshe, duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si “shumë të mira”.

“Ne do t’i thellojmë edhe më tej këto marrëdhënie mes dy shteteve vëllazërore”, shtoi ai.

Duke theksuar se Turqia dhe Afganistani mbështesin njëri-tjetrin edhe në takimet ndërkombëtare, Sajed Xhan tha: “Ne kemi bashkëpunuar në Organizatën për Bashkëpunim Islam (OBI). Gjithmonë mbështesim njëri-tjetrin edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”.

Sipas ambasadorit Sajed Xhan, Afganistani ndodhet në linjën e frontit në luftën kundër terrorizmit.

“Turqia, që është anëtare e NATO-s, në të njëjtën kohë është një pjesë e platformës ndërkombëtare që ofron mbështetje për Afganistanin. Ne jemi falënderues për këtë gjë. Krahas kësaj, Turqia trajnon ushtarët tanë, ndërsa ne ndajmë edhe informacione nga inteligjenca”, u shpreh Sajed Xhan.

Ai theksoi rëndësinë e procesit të paqes, i cili do t’i sillte në tryezën e njëjtë palët.

“Turqia është shtet i madh që ka rol të rëndësishëm në botën islame. Në rajonin tonë lufton kundër terrorizmit, i cili është kërcënim për secilin. Për ne është e rëndësishme ndarja e informatave të shërbimeve informative, pasi që Turqia dhe Afganistani janë në linjën e frontit kundër terrorizmit”, tha Sajed Xhan, duke shtuar se terrorizmti është armiku i njerëzimit dhe duhet të fshihet nga faqja e tokës.

Pas vlerësimeve të ambasadorit afgan Sajed Xhan, Shefi i Departamentit për Gjuhë të Huaja i AA-së, Mehmet Ozturk, i uroi punë të mbarë në detyrën e re ambasadorit dhe i dorëzoi një dhuratë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi