Disfatë e aleatëve të Merkelit. Humbje e thellë në Bavari për Unionin Kristiansocial

CSU, partia simotër e Unionit kristiandemokrat të Angela Merkelit, pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet e Bavarisë.

Edhe pse ajo vazhdon të mbetet forca politike më e madhe e landit, sërish ka shënuar një rënie serioze në krahasim me të kaluarën. Të dhënat e para e vendosin CSU-në në nivelin e 37,3% të votave të siguruara këtë të dielë, çka i heq shumicën absolute që e kishte mbajtur pa shumë mundim deri në mandatin e tanishëm.

Ky përbën praktikisht rezultatin më të dobët të Unionit Kristiansocial që pas Luftës së Dytë Botërore. CSU-së, e cila tradicionalisht gjendet në pushtet në landin më të madh të Gjermanisë, për të vazhduar qeverisjen i duhet të paktën një partner në koalicion. Partner i mundshëm i CSU-së në koalicionin e ardhshëm mund të jenë të Gjelbrit, të cilët kanë shënuar një rritje serioze të votave, me rreth 17,7%.

Të tretët u renditën “Zgjedhësit e Lirë”, me rreth 11,5% të votave të fituara, që lakohen edhe ata si partnerë të mundshëm koalicioni. Rritje ka shënuar edhe partia ekstremiste e djathtë, Alternativa për Gjermani (AfD), e cila siguroi 10,3% të votave.

Krahas CSU-së, humbëse e madhe e këtyre zgjedhjeve në Bavari është dhe partneri i koalicionit kombëtar të Merkelit, Partia Socialdemokrate (SPD), e cila deri tani ka qenë forca e dytë politike në këtë land. Ka spekullime se që të mbijetojë si parti, SPD-ja mund të tërhiqet nga qeveria federale. Për performancën e dobët në Bavari, liderja e saj Andrea Nahles fajëson pikërisht grindjet brenda koalicionit.

Këto votime përbëjnë një goditje të fortë për Merkelin vetëm pak muaj pasi arriti të krijojnte një koalicion të brishtë me CSU-në dhe SPD-në, ndërsa ilustrojnë nga ana tjetër kompleksitetin e sfidave me të cilat përballen sot shumë prej partive të mëdha europiane./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi