Dekriminalizimi dhe vettingu, Balla: Të gatshëm për bisedime. PD, në Kuvend nga Rregullorja

Dekriminalizimi është ligji parantezë e vettingut të politikës që propozon sot opozita. Partia Socialiste duket se ka qenë më e goditura nga Dekriminalizimi, në raport të pushtetit qendror apo lokal. Një përfundim që Taulant Balla e ka hedhur poshtë në studion e “Top Talk”, si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja.

“Një deputet është larguar nga grupi parlamentar i PS-së, një nga grupi i PD-së Dashamir Tahiri, dhe një nga grupi i LSI-së, si efekt i ligjit të Dekriminalizimit. Sa i përket pushtetit lokal, kemi edhe një kryetar bashkie”.

Megjithatë, Balla e ka konsideruar Dekriminalizimin si një hap shumë të rëndësishëm për përgjegjësitë personale të çdo politikani.

Por, a do të futet PS-ja në negociata me PD-në për propozimin e kësaj të fundit për vettingun?

“Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë çdo bashkëbisedim. Prej ardhjes së tij unë kam kërkuar një takim me kreun e grupit të PD-së, Spaho, për të diskutuar formalitetet, përmbajtjen dhe sigurisht për të ardhur në një draft të përbashkët më të plotë. Por këtu jemi përballur me kushtin e vetëm: Reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja të SPAK-ut dhe BKH-së të mos preken. Pra, që vettingu në drejtësi të mos jetë objekt i negociatave”, tha Balla.

Situata e tanishme, thotë më tej Balla, ka ardhur pasi qeveria refuzoi të negocionte ligjet e vettingut në drejtësi, që kërkoi në fillim të shtatorit PD-ja.

“Ne jemi të gatshëm nga nesër të ulemi për procedurën parlamentare tashmë të filluar, por pa prekur vettingun në drejtësi”, deklaroi Balla.

Por si do të negociohet, në një kohë kur PD ka bojkotuar Kuvendin dhe komisionet parlamentare? Edhe të enjten, Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në Kuvend, pasi do të mblidhet në Durrës.

“Ndryshimet kushtetuese janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit sesi bëhen. Unë i bëj thirrje PD-së që, nëse njëherë të vetme do të mund të jetë serioze, t’u qëndrojë këtyre propozimeve dhe të fillojë procesi i diskutimeve në procedurë parlamentare. PS dhe grupi jonë jemi 100 për qind për një vetting të vërtetë të politikës shqiptare, garantuar nga Reforma në Drejtësi”, përmbylli Balla, teksa theksoi se opozitën në Kuvend e kthen vetëm Rregullorja e Kuvendit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi