Daka: Partitë të marrin parasysh integritetin e kandidatëve në zgjedhje

Fondacioni Westminster për Demokraci ka organizuar punëtorinë “Procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të partive politike në Britani të Madhe”.

Aty u tha se si partitë politike mund të fitojnë avantazhe të konsiderueshme duke hartuar procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve, të ndërtuara mbi konceptin e kompetencës politike.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se partitë politike duhet ta kenë parasysh integritetin e kandidatëve, sipas saj, kjo ndikon në organizim më të mirë të zgjedhjeve.

“KQZ është organ i pavarur i themeluar në pajtim me kushtetutën përveç aspektit të organizimit të zgjedhjeve ajo është përgjegjës edhe për regjistrimin e partive politike. Kemi miratuar edhe rregullin për regjistrimin e partive politike. Sot të gjitha subjektet politike të regjistruara i kanë të normuara përzgjedhjet. Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtim është marrja parasysh e integritetit të kandidatëve pasi ndikon në organizim më të lehtë të zgjedhjeve. Tash është në dorën e partive politike që të nominojnë persona të ndjekur me vepra penale në listën e tyre apo jo”, u shpreh Daka.

Jo Silvester, profesoreshë nga Universiteti i Exter të Britanisë së Madhe, tha se përzgjedhja e kandidatëve politikë ka të bëjë me aftësinë për t’i tërhequr votuesit, që ata të mbeten besnik ndaj vlerave të partisë politike.

“Përzgjedhja e kandidatëve është një nga funksionet më të rëndësishme të një organizate demokratike dhe mekanizmi primar nëpërmjet të cilit partitë politike vendosin nëse një individ ka cilësitë e nevojshme për tu bërë përfaqësues i zgjedhur. Përzgjedhja e kandidatëve politikë në përgjithësi ka të bëjë me aftësinë e një partie politike për të tërhequr, miratuar dhe zgjedhur një grup individësh të talentuar që do jenë tërheqës për votuesit dhe të mbeten besnik ndaj vlerave të partisë politike”, tha Silvester, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, shefi i seksionit për demokratizim nga Ambasada britanike në Kosovë, Sam Paice, tha se kandidatët e përzgjedhur nga partia e tyre duhet të kenë parasysh që ata janë fytyra e partisë dhe si të tillë duhet që t’i kryejë cilësitë e nevojshme.

“Është një mekanizëm parësor që partitë politike vendosin nëse një individ ka cilësitë e nevojshme për tu bërë zyrtarë i zgjedhur. Përzgjedhja e drejtë e kandidatëve është e rëndësishme për partitë politike për votuesit dhe për demokracinë në përgjithësi. Kandidatët të cilët partia politike përzgjedhë ata janë fytyra e partisë. Kjo është një proces shumë kompleks pasi gjithë mandatin e ardhshëm do mbështeteni në këta persona”, tha Paice.

Paice pati edhe një mesazh për Kosovën.

“Në emër të ambasadës britanike me dëshirën për të parë Kosovën të lulëzojë në demokracinë brenda partive në mënyrë që të shohim kandidatë të aftë për të kryer përgjegjësitë e tyre jemi të kënaqur që mund të ju ndihmojmë në këtë proces”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi