Daja: Dominuam dhe fituam, një hap i rëndësishëm

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja nuk e fshehu kënaqësinë e 3 pikëve të marra ndaj Kukësit, pasditen e sotme. Në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, në Supersport, ai lavdëroi paraqitjen e skuadrës, por edhe performancën e arbitrit.

Një fitore e rëndësishme, por u duk se skuadra ka vuajtur në fragmente të caktuara… 
Në pjesën e më të madhe e kemi vënë ne në vështirësi kundërshtarin, pasi kemi dominuar për pothuajse 70 % të lojës. Në momentet e fundit pastaj ishte normale që të tërhiqeshim disi, për të mbrojtur rezultatin. Ishte një fitore mjaft e rëndësishme dhe për më tepër, mund të them se ishte një tjetër hap përpara, krahasuar me ndeshjen me Tiranën.

Do të jetë ky, Flamurtari që do të shohim në vazhdim?

Në këto tre javët e fundit kemi dy fitore dhe një barazim. Kemi rikuperuar mirë dhe këtë lojë që kemi bërë sot, duhet ta vazhdojmë që të kemi garanci për piket.

Keni filluar lojën me 4 sulmues, por Bushiç vijon të mos shënojë…
Ai është lojtar altruist, është në shërbim të ekipit, por në të ardhmen do të na duhet që Bushiç të zgjidhë situata në mënyrë individuale.

Do të vazhdoni t’i besoni kësaj skeme?

Brenda një ekipi duhet të ketë disa alternativa. Sot na funksionoi kjo skemë, por s’do të thotë se do të funksionojë gjithmonë. Megjithatë kemi shfaqje pozitive me këtë skemë.

Mendoni se ishte e ekzagjeruar dalja e fundit publike pas ndeshjes me Teutën?
Nuk kam pasur gjë me Teutën, pasi ata nuk vodhën gjë. Fakti ishte që kishte shumë kartonë. Sot arbitrit i kam thënë bravo të qoftë, ndonëse sërish kam rezerva për disa kartonë ditën e sotme. Nuk e kam pasur në adresë të Teutës, por në fund ka pasur 3-4 kartonë të diskutueshëm, të cilët po të doni ua jap edhe me video.

Veliu është rikthyer në nivele të rëndësishme…

Lojtarëve me eksperiencë, siç është Veliu, asnjëherë nuk ua pret dot hovin. Kemi nevojë për eksperiencën e Veliut. Futbollistëve me eksperiencë duhet t’i kërkojmë më shumë nga të tjerët, sepse mbajnë barrën./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi