Çmimi për sheshin “Skënderbej”, Veliaj: Shpërblim i një pune të madhe që nisi në 2008

Në 3-vjetorin e zgjedhjes në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tërhoqi dje në Barcelonë çmimin e madh për Sheshin “Skënderbej”, i cili u përzgjodh nga një juri profesioniste ndërkombëtare, si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim.

Pas vlerësimit që mori në Bienalen e Çikagos para një viti, sheshi “Skënderbej” rrëmbeu çmimin prestigjioz Evropian për Hapësirën Publike Urbane 2018, i dhënë nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë. Juria, e kryesuar nga Olga Tarraso dhe me përbërje ekspertët më të mirë ndërkombëtarëtë arkitekturës, vlerësoi sheshin “Skëndërbej” si një shesh monumental mahnitës, çlodhës, dhe një nga projektet më emocionues të këtij viti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky çmim është shpërblimi më i mirë i një pune të madhe të bërë që nga projektimi deri te ndërtimi i sheshit të ri “Skënderbej”. “Jemi të gjithë kaq të lumtur që Tirana u vlerësua sot në Barcelonë me çmimin më prestigjioz për hapësirën publike në Evropë. Morëm çmimin si hapësira publike më e mirë në Evropë nga mbi 32 vende dhe 279 projekte. Nuk besoj se ka bekim dhe shpërblim më të madh të një pune kolosale; punë që filloi me Edi Ramën dhe ekipin e Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, pastaj në 2008 me konkursin, nisja e punës, mandej shkatërrimi dhe ‘varrosja’ e gjithë asaj pune nga administrata e gjumit, e në fund rizgjimi me projektin e Rilindjes Urbane, që solli një transformim të madh jo vetëm të sheshit ‘Skënderbej’”, tha kryebashkiaku Veliaj pas marrjes së çmimit.

Ai theksoi se ky çmim nderon çdo qytetar të Tiranës, që besoi te ndryshimi dhe tregon edhe një herë se kur ka bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të bëhen gjëra shumë të mira, që vlerësohen ndërkombëtarisht. “Jam shumë krenar sot, për të gjithë qytetarët e Tiranës; nuk ka rëndësi si kemi votuar, çfarë opinionesh kemi, rëndësi ka që kur bëhemi bashkë, bëjmë mrekulli. Me sheshin “Skënderbej” kemi bërë një mrekulli, jo vetëm me realizimin, por se sa jetë, energji, sa gaz dhe sa dëshirë i japim asaj hapësire. Unë e di që në Shqipëri për çdo gjë ka debat: mos ma prek këtë, mos më prek atë, mos më prek liqenin, mos më prek pazarin, teatrin, sheshin! Siç po tregon historia, gjërat që preken dhe që modernizohen, në fakt marrin çmime, vlerësohen, sjellin jetë, ekonomi, sjellin turizëm, ndaj ka ardhur koha që të ecim përpara”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku nënvizoi se çmimi që mori sheshi “Skënderbej” është një tjetër provë se edhe Teatri i ri Kombëtar, ashtu si çdo projekt tjetër i sulmuar nga opozita, do të jetë një sukses që gjithashtu do të vlerësohet më pas. “Çka vjen më pas është Teatri i Tiranës dhe jam i lumtur sot dhe dua t’i falenderoj nga zemra aktorët e arkitektët. Shumica dërrmuese janë shprehur: Po, e duam një teatër të ri, por eja negociojmë versionin më të mirë. Ky është një lajm fantastik! Mezi pres që ashtu si Tirana ka fituar këto çmime dhe po vlerësohet për të gjithë këto “stoli” të Rilindjes Urbane, ashtu ka ardhur koha që t’i japim Tiranës një teatër dinjitoz dhe gjithë ato skena që kemi parë janë një përrallë nga e kaluara. Ne, këtë film e kemi parë edhe me sheshin, me pazarin, e kemi parë me lodrat te Liqeni, bulevardin, ja ku jemi sot! Sikur ta shihnim njëri-tjetrin me të njëjtën dashuri që na sheh Evropa, mund ta bëjmë Evropën në Shqipëri. Ndaj mezi pres të ecim përpara, t’i fusim të pestin edhe për teatrin, pasi të kemi rënë dakord për një hapësirë dinjitoze, që nuk e prek pronën e teatrit. Kemi gjetur mënyrën më të mirë, që ashtu si stadiumi, t’i japim një teatër Tiranës pa para nga taksapaguesi, pa i marrë pronën, me një hapësirë të trefishtë për artistët, dhe besoj që nuk do jetë e largët dita kur do marrim çmime edhe për teatrin e ri”, u shpreh ai./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi