“Cirk” në Kuvendin e Kosovës: të debatosh 2 orë dhe të merresh vesh për 5 minuta

Nga Blendi Gashi

Për më tepër se dy orë, pozitë e opozitë u përplasën në Kuvendin e Kosovës rreth shqyrtimit të parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërsa partitë në pushtet kërkonin ta shtyenin para këtë ligj me procedurë të përshpejtuar siç thanë për të mos humbur kohë, opozita këtë nuk e pranoi me arsyetimin se duhet bërë ndryshime në ligj.

Lutjet e pushtetit për opozitarët

Votat opozitarëve ja kërkuan kryeministri e ministri i Drejtësisë. Haradinaj, miratimin e këtij ligji e lidhi me procesin e liberalizimit të vizave.

“Kjo është edhe një tregues i seriozitetit të marrëdhënieve tona me BE-në. Ju e dini liberalizimi është rend dhe ligj. Nëse Kosova tregon neglizhencë në marrje të përgjegjësive, mund ta nxjerr në pozicion kritikues”, tha Haradinaj.

Kurse ministri Abelard Tahiri tha se ajo çfarë është me rëndësi, është se me këtë projektligj bëhet riorganizim i Dhomës së Posaçme dhe zëvendësohen gjyqtarët ndërkombëtarë me ata vendorë.

Opozita nuk u zmbraps…

Përkundër lutjeve nga pushteti që ta votojnë në lexim të parë ligjin, opozitarët nuk u lëkundën nga qëndrimet e tyre.

Avdullah Hoti i LDK-së tha se e përkrahin këtë projektligj nëse për votim do të dalin një ose dy nene, e që do të ishte vetëm për zëvendësimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë me ata vendorë, tash pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, në të kundërtën tha se partia e tij kërkon që si tërësi projektligji të shqyrtohet në procedura të rregullta.

E njëjta kërkesë ishte edhe nga Vetëvendosje e Partia Socialdemorkate.

Vetëvedosësja Albulena Haxhiu tha se në projektligjin e ri nuk flitet vetëm për përfundimin e mandatit të EULEX-it, por edhe për çështje të tjera që janë shumë arbitrare, të dëmshme dhe në disfavor të palëve, që në shumtën e rasteve janë punëtorët.

Ndërsa Dardan Molliqaj nga PSD shprehu pakënaqësinë rreth ligjit pasi tha se ka shumë probleme dhe pa u marrë parasysh edhe vërejtjet e tyre, nuk japin votën pro.

Por mosdhënien e votave pro nga opozita që ky projektligj të kalojë në lexim të parë shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, e arsyetoi me faktin se opozitarët po tentojnë ta shtyejnë funksionalizimin e Dhomës së Posaçme deri në fund të vitit.

“Marrëveshja e xhentelmenëve”

Dhe kur u mendua se nuk do arrihet një pajtim mes palëve për ligjin në fjalë, papritmas shefat e grupeve parlamentare arritën një marrëveshje me ministrin e Drejtësisë, Abeard Tahiri brenda 5 minutash të ngritur në këmbë tek ulësja e tij, që ligji në fjalë në lexim të parë do të shkojë në Kuvend më 9 korrik.

Kjo u konfirmua edhe nga ministri Tahiri.

“Kemi arritur marrëveshje që në seancën e radhës të jetë pjesë e rendit të ditës, brenda muajit korrik Ministria me Komisionin do ta bëjmë amandamentimin. Para seancës do të takohemi për të trajtuar temën, dhe kjo përfundojë brenda korrikut”, tha Tahiri.

Tutje u bë e ditur se në lexim të dytë, pastaj seanca do të dakordohet ndërmjet partive politike.

Seanca ka shkuar në pauzë, për të vazhduar më vonë përsëri me pikat e tjera të rendit të ditës. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi