Cili është Sekretari i i ri amerikan i Mbrojtjes?

Këtë muaj, një drejtues i ri mori frenat e Pentagonit. Por kush është Patrick Shanahan, që ushtron detyrën e Sekretarit të Mbrojtjes dhe si pritet të bashkëpunojë ai me komandantin e përgjithshëm, Presientin Donald Trump.

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan ka qenë zëvendës i Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis… i cili ka shërbyer për më shumë se 40 vjet në ushtrinë amerikane para se merrte postin e lartë civil në Pentagoni.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, zoti Shanahan ka një përvojë 30 vjeçare në industrinë private, duke punuar për korporatën Boeing. Ky fakt është shqetësim për disa ekspertë ushtarakë. Bishop Garrison është me Projektin e Sigurisë Kombëtare Truman.

“Pa përvojë ushtarake, me pak ose aspak përvojë në qeveri. Gjatë gjithë karrierës së tij ka qënë në sektorin privat. Nuk jam i sigurt se ai është i përshtatshëm për këtë post.”

Por të tjerët thonë se koha që zoti Shanahan kaloi pranë zotit Mattis është e paçmuar. Todd Rosenblum ka qenë ish Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes.

“Gjatë një viti e gjysmë është ekspozuar ndaj çështjeve politike, pra nuk është pa dijeni. Nuk është se ai sapo hyri në portat e Pentagonit.”

Në letrën e dorëheqjes vitin e kaluar, zoti Mattis shkruante se Presidenti Trump ka të drejtë të ketë për sekretar mbrojtje një zyrtar më të afërt me pikëpamjet e tij. Por nuk është e qartë nëse Shanahan është njeriu i duhur.

“Me aq sa dimë për zotin Shanahan, sa i përket besimeve të tij për sigurinë kombëtare dhe politikës së jashtme, ato u pasqyruan, për të mos që u formuan, në bazë të ideve të zotit Mattis. Nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një variant me më pak përvojë të sekretarit Mattis”, thotë Bishop Garrison me Projektin Truman të Sigurisë Kombëtare.

Kur Presidenti Trump vizitoi Pengtatonin para disa ditësh për të shpalosur strategjinë e re të mbrojtjes nga raketat, sekretari i mbrojtjes në detyrë dukej i etur për të shërbyer.

“Zoti President jemi gati për këtë detyrë. Ky është departamenti që i realizon detyrat”, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan.

Në minutat që pasuan, presidenti u përball me heshtje nga të pranishmit kur u përpoq të godiste politikisht kundërshtarët e tij demokratë.

“Partia e tyre është marrë peng nga krahu ekstrem i kufijve të hapur brenda partisë. E majta radikale është tjetërsuar në radikalë demokratë.”

Retorika u shua sepse, sikurse zoti Shanahan pohoi të martën, Pentagoni ka një përgjegjësi të kahershme për të qëndruar larg politikës. Ish Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Todd Rosenblum jep më shumë sqarime.

“Është mjaft e rrezikshme, dhe do të jetë e rendësishme për sekretarin e mbrojtjes që të mbrojë institucionin e tij, si ushtarakët edhe civilët, sa më shumë të jetë e mundur që të mos përdoren si një instrument politik.”

Kjo përgjegjësi ka të ngjarë që ta karakterizojë sekretarin e mbrojtjes ndërsa fillon fushtata presidenciale e vitit 2020./VOA

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi