Çfarë është qumështi pa laktozë?

Përderisa shumica e njerëzve shijojnë qumështin pa asnjë shqetësim, ka njerëz që pa marrë parasysh moshën, mund të hasin në disa lloje të pengesave kur konsumojnë qumësht.

Këto pengesa dinë të manifestohen me reaksione të ndryshme si p.sh. fryrje të barkut, ndjenjë dobësie në trup, vështirësi në tretje.

Shqetësimet e tilla më së shpeshti paraqiten si shkak i jotolerancës ndaj Laktozës, gjendje e cila pengon tretjen normale të sheqerit i cili gjendet në qumësht dhe produktet e qumështit.

Çfarë është jotoleranca ndaj Laktozës?

Jotoleranca ndaj laktozës është pasojë e veprimit të zvogëluar apo të mungesës së enzimave të laktazës. Gjatë veprimit normal enzimat e tilla e shpërbëjnë laktozën në sheqerna më të vogla, të cilat mund të kalojnë lehtësisht përmes murit të zorrëve në gjak. Në mungesë të enzimave në zorrën e hollë mbetet laktoza e patretur, e cila shkakton simptoma të pakëndshme. Gjendja mund të jetë e lindur ose e shkaktuar nga sëmundjet e ndryshme inflamatore të traktit gastrointestinal, të cilat në mënyrë kalimtare ose kronike pamundësojnë veprimin e laktazës.

Sipas anketës së zhvilluar në Kosovë nga Valicon (2017), numri i njerëzve që ndjejnë shqetësime gjatë konsumit të qumështit sillet rreth 20.4%.

Ky numër është relativisht brenda mesatares evropiane, përderisa në pjesët tjera të botës është dukshëm më i lartë dhe shkon edhe mbi 80%; p.sh. në Kinë.

Pse është e rëndësishme të konsumojmë qumësht?

Në rast kur pas konsumimit të qumështit paraqiten shqetësimet, fryrja, dobësia apo edhe problemet e tretjes, shumica e njerëzve i përjashtojnë plotësisht produktet e qumështit nga ushqimi i tyre.

Megjithatë kjo, duke përjashtuar alergjinë e mundshme ndaj qumështit, nuk është e këshillueshme as e nevojshme.

Qumështi me të vërtetë është ushqimi më i mirë, i shumëllojshëm, i cili përmban materie ushqyese të domosdoshme, siç janë yndyra e qumështit dhe proteinat, kalciumi dhe materiet e tjera minerale, si dhe shumë vitamina të ndryshme, të cilat janë shumë të rëndësishme për shëndetin dhe aktivitetin e përditshëm trupor dhe të cilat vështirë mund t’i zëvendësojmë me produktet e tjera ushqimore.

Çfarë është Qumështi pa Laktozë ?

Përmes qumështit pa laktozë edhe njerëzit që ndjejnë shqetësime gjatë konsumit të qumështit, mund të marrin vitaminat dhe proteinat e nevojshme që gjenden në qumësht.

Krahas zhvillimit ekonomik, teknologjisë dhe tregjeve, në botë është zhvilluar edhe industria e ushqimit, ku njerëzit të cilët kanë preferenca apo probleme të ndryshme shëndetësore, me lehtësi mund të gjejnë produktet e përshtatshme.

Kështu prodhuesit komercial përmes shpërbërjes enzimatike kanë shpërbërë pjesën më të madhe të laktozës, duke i ruajtur materiet ushqyese të qumështit, për ta bërë atë më të lehtë për tretje, pasi që shumica e njerëzve jotolerant ndaj laktozës vuajnë nga fryrja e barkut, mundimi, apo çrregullime tjera në sistemin tretës. Njerëzit që nuk mund të përdorin qumështin e rregullt mund të marrin vitaminat dhe proteinat e nevojshme, njëjtë sikur ata që e përdorin qumështin e rregullt, vetëm se nga Qumështi pa Laktozë.

Fatmirësisht, edhe në Kosovë, njerëzit jotolerant ndaj laktozës, me lehtësi mund të gjejnë produktet si Qumështi pa Laktozë, qumësht i cili tretet lehtë dhe si i tillë është i përshtatshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të konsumojnë qumështin./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi