Çavusoglu: Uniteti dhe dialogu, kyç për tejkalimin e prirjeve të urrejtjes

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në adresimin e tij në seancën e 129-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se “uniteti, gjithëpërfshirja, dialogu dhe një vizion strategjik janë mënyrat e vetme për të tejkaluar prirjet në rritje të ksenofobisë, islamofobisë dhe anti-semitizmit në të gjithë globin”.

Çavuşoğlu, i cili foli në seancën që u mbajt në Helsinki të Finlandës, kujtoi sulmet terroriste në Zelandën e Re dhe Sri Lanka, sulmin e fundit kundër një xhamie në SHBA dhe të tjera të ngjashme në Evropë, duke theksuar se këto sulme “na kujtojnë ashpërsinë e kërcënimit”.

“Ndaj apelin e Sekretarit të Përgjithshëm (të Këshillit të Evropës) për të adresuar pabarazinë në rritje dhe për të përforcuar politikat kundër diskriminimit dhe ato të barazisë në Evropë, duke përfshirë luftën kundër ksenofobisë, islamofobisë, anti-semitizmit, krishterofobisë, gjuhës së urrejtjes dhe populizmit”, deklaroi Çavuşoğlu.

Sipas tij, “demokracitë tona janë në rrezik përballë këtyre prirjeve”, sepse, tha ai, sulmet ndaj vendeve të adhurimit po bëhen të zakonshme.

“Ne mund t’i ndalojmë këto sfida vetëm përmes unitetit, përfshirjes, dialogut dhe vizionit strategjik gjithëpërfshirës”, u shpreh kryediplomati turk.

Më 21 prill, sulmet terroriste mbi kishat dhe hotelet në kryeqytetin Sri Lanka në Colombo lanë 250 persona të vdekur. Po ashtu më 15 mars në Christchurch në Zelandë të Re u masakruan të paktën 50 muslimanë dhe shumë të tjerë u plagosën kur një terrorist supremacist i bardhë sulmoi dy xhami.

Çavuşoğlu falënderoi sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, për prezantimin e tij dhe raportin përfundimtar, për të cilin ministri turk tha se “do të kujtohet si trashëgimi e tij”.

“Po ashtu falënderoj qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm mbi nevojën për të shmangur krijimin e një linje të re ndarëse në Evropë. Theksi mbi të drejtat dhe detyrimet e barabarta të shteteve anëtare është qasja e duhur për të tejkaluar bllokimin aktual. Ndarja dhe përjashtimi do të dëmtojnë atë që kemi arritur në shtatë dekadat e fundit”, tha Çavuşoğlu.

Ai më tej tha se po ashtu duhet të adresohen dobësitë institucionale, si dhe theksoi nevojën për “pajisjen e Këshillit me burime të mjaftueshme financiare”.

“Përdorimi efektiv, objektiv dhe jo i politizuar i mekanizmave ekzistues të monitorimit dhe këshillimit është thelbësor. Qasjet politike dëmtojnë besueshmërinë e tyre. Një koordinim i mirë ndërmjet Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare është i mirëpritur, pa paragjykuar mandatin statutor të secilit organ”, tha ai.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi