“Buxheti” në Kuvend, opozita e diskuton paralelisht jashtë tij

Opozita shqiptare me në krye Partinë Demokratike vijon bojkotin e Parlamentit, edhe në këtë kohë tejet të rëndësishme kur në Kuvend ka nisur seanca plenare për të diskutuar mbi projektligjin për buxhetin e vitit 2019 dhe paketën fiskale.

Edhe pse konsiderohet një pr.ligj politik, i cili kalon thjesht me votat e shumicës parlamentare, pasi në të kundërt do të rrëzohej qeveria, opozita është mbledhur në një nga hotelet e Tiranës për të mbajtur një bashkëbisedim për buxhetin.

“Kjo e sotmja është një ditë ku opozita, së bashku me ju do të bëjë transparencën e munguar për atë që është buxheti më katastrofik në 28 vite të Shqipërisë pluraliste. Buxhet i cili legjitimon zhvatjen dhe vjedhjen me ligj të shqiptarëve, të taksave të tyre, burimeve të tyre natyrore dhe rëndon mbi ta një shifër borxhi rekord, e cila e agreguar me borxhin e fshehur të projektit korruptiv të PPP-ve, thyen për herë të parë tavanin ogurzi të 80 përqindëshit. Kjo, falë projektit më korruptiv të Ballkanit, projektit të ashtuquajtur 1 miliard, i cili po i afrohet shifrës 3 miliardë, dhënies së 15 apo 20 koncesioneve 10 apo 15 oligarkëve të vendit, me një vlerë të barabartë sa gjithë buxheti vjetor i Shqipërisë. Rritja e borxhit, koncesionet dhe favoret fiskale për një grusht njerëzish kanë sjellë një faturë të tmerrshme për të gjithë sektorët e ekonomisë. Që nga ambienti tmerrësisht negativ për investimet dhe biznesin, te shpenzimet sociale për pensionistët, shtresat në nevojë, shëndetësinë, arsimin, të rinjtë dhe studentët. Kjo, në një kohë kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një buxhet realist, që të ndalë dramën e madhe të boshatisjes së vendit, ku një në 6 shqiptarë është larguar në vitet e qeverisjes së Rilindjes së Edi Ramës. Ka nevojë për një buxhet, që të adresojë nevojat akute të mbi 150 mijë familjeve në nevojë ekstreme ekonomike, për të cilat Edi Rama ka rezervuar në këtë buxhet një shumë të barabartë me atë që planifikon të hedhë për dy kilometra në Unazën e re”, do të shprehej Basha në fjalimin hapës të takimit.

Të pranishëm në takimin e opozitës së bashkuar, me PD dhe LSI në krye, janë përfaqësues të biznesit, ekspertë, gazetarë e grupe interesi./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi