Bushati: Marrëveshja e Prespës e rëndësishme, qytetarët e Maqedonisë të votojnë “Pro”

Qytetarët e Maqedonisë të votojnë pro referendumit më 30 shtator, ka qenë apeli i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në takimet e tij me zyrtarë të qeverisë maqedonase.

Në ditën e dytë të vizitës ai u takua me homologun, Nikola Dimitrov, ku në fund të takimit dhanë dhe një konferencë për shtyp.

Ministri Bushati u ndal tek mbështetja që Shqipëria i jep Maqedonisë në projektin e saj euroatlantik. Ministri Bushati vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe mbështetës të flaktë të proceseve euroatlantike të Maqedonisë. Në këtë kontekst, ai i bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë pro referendumit më 30 shtator si një marrëveshje me “rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”.

Kreu i diplomacisë nënvizoi se Shqipëria pret me padurim zbatimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, i cili është një hap vendimtar për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike. Të dy qeveritë po punojmë për agjendën e ardhshme të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe për një sinkronizim akoma më të mirë te ndërveprimit me Komisionin Europian në kuadër të procesit “screening”.

Dy homologët diskutuan dhe për situatën në rajon, dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, dhe marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë.

Më herët, ministri Bushati u takua me kryeparlamentarin Talat Xhaferri dhe zv. kryeministrin Bujar Osmani.

Në takimin me kryetarin e parlamentit të Maqedonisë Talet Xhaferri, ministri vlerësoi rolin e Parlamentit dhe faktorit politik shqiptar në mbajtjen e ritmit dhe dinamikës së reformave gjatë vitit të fundit.

Ministri Bushati dhe zv. kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani diskutuan dhe për mundësinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit operacional në procesin “screening”, në kushtet kur ka një kalendar dhe një horizont të qartë për dy vendet tona në vitin 2019. Dy bashkëbiseduesit diskutuan dhe mbi mundësinë e zhvillimit të rajoneve dhe komuniteteve ndërkufitare duke e maksimizuar dhe asistencën financiare të BE-së./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi