Britani, kryebashkiaku i Londrës: Referendum të dytë për “Brexit”-in

Një referendum të ri për “Brexit”-in! Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka kërkuar një votim të ri, duke kritikuar mënyrën sesi qeveria po adreson negociatat me BE-në.

Politikani laburist tha se, me Britaninë e Madhe që brenda 6 muajsh duhet të largohet nga BE-ja, rreziku që kanoset tani është ai i një marrëveshjeje të keqe apo të asnjë marrëveshjeje.

“Debati aktual është përqëndruar më shumë tek ambiciet politike të Boris Johnsonit, sesa tek ajo që është e mirë për Britaninë e Madhe”, tha Khan.

Kryeministrja Theresa May ka thënë se një votim i dytë do të ishte tradhti për demokracinë. Ndërkohë, Khan, ish-deputet i zonës Tooting, tha se, edhe pse kishte bërë fushatë për qëndrim në BE, ai e ka pranuar vullnetin e britanikëve për të dalë nga unioni.

Ai shtoi se nuk e kishte menduar që do të mbështeste thirrjet për një referendum të dytë, por se është shqetësuar gjithnjë e më shumë për ecurinë kaotike të negociatave, që duket se janë zhytur në konfuzion dhe bllokim.

Me kohën për negociata që po mbaron, Khan thotë se Britania e Madhe ka mbetur përpara dy mundësive shumë të rrezikshme.

“Të dy këta skenarë janë shumë larg asaj që u premtua gjatë fushatës për referendumin dhe vetëm sa ekspozojnë gënjeshtrat dhe të pavërtetat që i janë shitur publikut”, thotë ai. “Unë nuk besoj se Theresa May ka mandatin për të vënë të tilla baste me ekonominë britanike dhe jetët e njerëzve”.

Më herët, Khan kishte thënë se ai besonte që publiku britanik duhej të konsultohej nëse Parlamenti do të votonte kundër marrëveshjes përfundimtare të qeverisë për “Brexit”-in. Por, të dielën ai tha se kishte arritur në përfundimin se populli duhej të thoshte fjalën e fundit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi