Britani, identifikohen viktimat vietnameze të gjetur në kamion

Policia britanike njoftoi se të gjithë 39 viktimat e gjetur të vdekur në kamion në Essex muajin e kaluar janë identifikuar dhe familjet e tyre janë njoftuar.

Identifikimi i kufomave është një “hap i rëndësishëm në hetim dhe na mundëson të punojmë me kolegët tanë të Policisë Vietnameze për të mbështetur familjet e atyre viktimave”, tha zyrtarja policore Caroline Beasley-Murray në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet se policia vazhdon hetimet me Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe zyrtarë të sigurisë në Evropë.

39 viktimat u gjetën të vdekur në një kamion më 23 tetor në Essex të Anglisë juglindore.

Shoferi i kamionit, Maurice Robinson, u mbajt në paraburgim pas paraqitjes së tij të parë në një gjykatë britanike.

Robinson, 25 vjeç, qytetar britanik nga Irlanda Veriore, u shfaq në seancën fillestare në gjykatën në Chelmsford përmes një video-lidhjeje.

Gjykata vendosi ta mbajë në paraburgim deri më 25 nëntor, kur ai pritet të paraqitet në Old Bailey.

Robinson akuzohet për vrasje, komplot për trafikim me njerëz, komplot për të ndihmuar emigracionin e paligjshëm dhe larje të parave.

Ai u arrestua menjëherë pas zbulimit të kufomave në një rimorkio frigoriferike.

Autoritetet britanike fillimisht thanë se të gjitha viktimat ishin kinezë, por më vonë u zbulua se ata në fakt ishin me origjinë vietnameze.

Policia britanike arrestoi gjithsej katër persona, përfshirë Robinson, menjëherë pas zbulimit të rastit, por tre prej tyre u liruan me kusht.

Sipas autoriteteve lokale, kamioni ishte i regjistruar në Bullgari, por nuk ka qenë në këtë vend që nga viti 2017 dhe ishte i regjistruar nga një shtetas i Irlandës Veriore.

Një prokuror federal belg ka hapur gjithashtu një hetim për rastin.

Në vitin 2000, 58 migrantë kinezë u gjetën të vdekur në një kontejner kamioni në Dover të Anglisë, ndërsa një shofer holandez ishte burgosur për vrasje në vitin 2001.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi