Bora dhe ortiqet izolojnë nga bota disa regjione në Zvicër

Moti i keq me reshje të mëdha bore që po mbretëron në disa zona të Zvicrës dhe në veçanti në Valis, po shkakton probleme të mëdha në qarkullimin e njerëzve.

Kështu, për shkak të borës dhe rrezikut nga ortiqet, sërish janë bllokuar të gjitha lidhjet me vendpushimin dhe fshatin Zermatt të Valisit.

Vetëm rreth një javë më parë Zermatt-i kishte mbetur dy ditë plotësisht i izoluar nga bota, pasi qe ndërprerë linja hekurudhore Zermatt-Täasch, transmeton albinfo.ch. Atëherë, por edhe tash, për të shkuar në këtë vendpushim dhe anasjelltas është vendosur një “urë ajrore”, gjegjësisht një linjë helikopterësh.

Po ashtu në disa komuna të kantonit Valis është urdhëruar evakuimi i banorëve.

Përveç se në Valis, rreziku nga ortiqet është rritur edhe në Kantonin Graubünden. Duke qenë se në mbrëmje dhe më tutje gjatë natës priten reshje të mëtejme bore, banorëve të disa vendbanimeve në rrethinën e Davosit u është bërë thirrje për të lëshuar shtëpitë gjatë mbrëmjes.

Ndërmarrja hekurudhore “Rhätische Bahn” ka njoftuar për disa ndërprerje linjash. Që nga mëngjesi i të dielës është ndërprerë po ashtu edhe linja malore mbi Gotthard ndërsa ka pasur ndërprerje edhe të trenave në relacionin Werstfeld (UR) – Faido (TI)./Albinfo.ch/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi