Blair kujton intervenimin e NATO-s: Përparimi kërkon vendime të vështira, Kosova e ka bërë më parë, mund ta bëjë përsëri

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe kur ndodhën bombardimet e NATO-s në Kosovë, Tony Blair ka kujtuar kohën kur janë bashkuar me forcat e NATO-s për ndërhyrje në Kosovë.

Blair është shprehur se përkpjekja e OKB-së për të ruajtur paqen në Kosovë ndikoi në kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në të gjithë rajonin dhe krijoi marrëveshje politike.

Ai thotë se vendimi është motivuar nga vlerat e thella të Britanisë së Madhe, si një angazhim drejt drejtësisë dhe trajtimit të drejtë të të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh besimin ose kombin, dëshirën për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe një angazhim të sinqertë ndaj popullit të rajonit.

“Unë përgëzoj popullin e Kosovës për këto përpjekje. Përparimi do të kërkojë vendime të vështira dhe udhëheqje bindëse. Por ju e keni bërë këtë më parë dhe mund ta bëni përsëri”, ka thënë Blair.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në vitin 1999, mora vendimin si Kryeministër i Britanisë për t’u bashkuar me forcat e tjera të NATO-s për të ndërhyrë në luftën në Kosovë, për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës. Përpjekja siguroi një prani paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë, siguroi kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në të gjithë rajonin dhe krijoi një marrëveshje kornizë politike. Ky vendim u motivua nga vlerat tona të thella, një angazhim drejt drejtësisë dhe trajtimit të drejtë të të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh besimin ose kombin, dëshirën për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe një angazhim të sinqertë ndaj popullit të rajonit. E dinim se sa e vështirë do të ishte përparimi dhe paqja, por gjithashtu besuam se populli i Kosovës dhe në të gjithë rajonin kishin kreativitetin, mençurinë dhe vendosmërinë për të adresuar sfidat e shumta që shtrihen përpara. Gjatë njëzet viteve të fundit ne kemi qenë dëshmitarë të një brezi të ri kosovarë që e marrin të ardhmen e tyre në duart e tyre dhe kanalizojnë energjitë e tyre në ndërtimin e kombit. Unë përgëzoj popullin e Kosovës për këto përpjekje. Përparimi do të kërkojë vendime të vështira dhe udhëheqje bindëse. Por ju e keni bërë këtë më parë dhe mund ta bëni përsëri. Kam besim të patundur se Ballkani më në fund do të ngrihet mbi sfidat e tij dhe do të marrë vendin e tij të vërtetë në botë. Pra, teksa reflektojmë për gjeneratat e humbura, vendosmëria jonë për të siguruar paqe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm duhet të vazhdojë. Për popullin e Kosovës unë them: Ju keni kaluar nëpër kaq shumë, por keni arritur t’i tejkaloni. Tani, duhet të ndërtoni një të ardhme të denjë për njerëzit tuaj. Një shtet brenda familjes së Evropës. Kam besim se ky vizion do të jetë realiteti i ardhshëm për Kosovën dhe popullin e saj.

Tony Blair.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi