Bektashi padit Gashin dhe Shllakun për raportin e “plagjiaturave në UP”

Profesori i Juridikut, Mejdi Bektashi, ka ushtruar padi ndaj Shkëlzen Gashit të “Admovere-s” dhe Luan Shllakut të KFOS-it. Padia e protokoluar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka të bëjë me raportin e publikuar së fundmi nga OJQ “Admovere”, me mbështetje të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), me titullin “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e student-hapësirë”.

Ka kërkuar prej të dyve nga 125 mijë euro, ndërsa kjo shumë prej 250 mijë eurove, sipas Bektashit do të shkojë në buxhetin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si donacion me destinacion të veçantë për ndarjen e bursave studentëve më të dalluar dhe studentëve me gjendje të rëndë ekonomike.

Portali Koha.net ka folur me Shkëlzen Gashin e “Admovere-s”, i cili ka thënë se nuk tërhiqet nga pjesa që ka shkruar se “libri i Bektashit është plagjiat”. Portali ka provuar të vë kontakt edhe me Luan Shllakun e KFOS-it, por të hënën pasdite një gjë të tillë e ka pasur të pamundur.

Sidoqoftë, Bektashi thotë se raporti i sipërtheksuar, “përveç të tjerash, ka përmbajtje shpifëse në relacion me personin tim, duke ngritur pretendime të pabazuara për kinse përvetësimin në formë të moscitimit nga teksti universitar ‘Ekonomia’ të librit të autorëve Paul Samuelson dhe William Nordhaus”.

“Duke përdorur të drejtat e mia sipas ligjeve në fuqi, më saktësisht Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes Nr. 02/L-65, sot, më datën 1 tetor 2018, kam paraqitur Padi për Shpifje, me propozimin për lëshimin e masës së përkohshme të sigurisë, ndaj OJQ ‘Admovere’ dhe z. Luan Shllakut, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), që është financues dhe porositës i këtij raporti”, ka thënë Bektashi në një email dërguar mediave.

Bektashi ka shkruar se është “i detyruar të theksojë se, pretendimet e njëjta janë ngritur në shkurt të vitit 2007, përmes një artikulli të botuar në gazetën ‘Express’”.

“Në vijim të këtij artikulli, Senati i Universitetit në atë kohë, ka ngritur një komision të pavarur dhe kredibil profesorësh të Universitetit, të cilët pas një analize disaditëshe kanë konstatuar se libri ‘Ekonomia’ nuk ka përmbajtje plagjiati. Si rezultat i kësaj gjetjeje, është nxjerrë Vendimi Nr. 1/191 i datës 10-05-2007 nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, se libri nuk është plagjiat”, ka thënë tutje Bektashi në letrën e tij dërguar mediave.

Në padi, e cila është dërguar si aneks mediave, Bektashi kërkon masë të përkohshme të sigurisë, e gjithashtu edhe dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar jo-material në vlerë prej 250,000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) Euro, të ndarë në mënyrë përpjestimore për secilin nga dy të paditurit.

“Siç e kam theksuar edhe në Padi, “Qëllimi … në këtë rast nuk do të jetë përvetësimi i kompensimit të kërkuar jomaterial, pasi që nga tash zotohem se të gjitha mjetet do të barten në buxhetin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si donacion me destinacion të veçantë për ndarjen e bursave studentëve më të dalluar dhe studentëve me gjendje të rëndë ekonomike”, ka thënë Bektashi.

Bashkë me një kopje të padisë, Bektashi ka bashkëlidhur edhe një kopje të Vendimit Nr. 1/191, që, sipas tij, “qartazi dhe në mënyrë autoritative dëshmon shpifjen e raportit të OJQ ‘Admovere’”. Shkarko dokumentin

Gashi e ka pranuar se raportit të tij i mungon vlerësimi i këtij Komisioni. Por megjithëkëtë, ai ka thënë se duhet të shqyrtohet edhe puna e atij e Komisioni.

Gashi ka thënë se në raportin e organizatës së tij janë theksuar vetëm raportimet e mediave. Këtu ka thënë se janë përfshirë 16 raste gjithsej.

Sa i përket padisë së profesorit Mejdi Bektashi, Gashi ka deklaruar se “ai nuk tërhiqet nga raporti që flet se libri i Bektashit është plagjiat”, por ka thënë se që në këtë raport “nuk është përfshirë vendimi i komisionit të senatit që analizoi se libri ‘Ekonomia’ nuk është plagjiat sepse si organizatë nuk e kemi pasur vendimin”. Gashi ka shtuar se do ta publikojnë vendimin në versionin online të raportit.

Gashi, megjithatë, ka hedhur dyshime edhe në punën e komisionit për të cilin theksoi se duhet analizuar punën e tyre.

Ka theksuar sërish se “libri është plagjiaturë dhe se për këtë nuk ka kurrfarë dileme”. Ka shtuar se secili që di shkrim-lexim e kupton që është vjedhje nga përkthimi serbo-kroatisht.

“Admovere” ka njoftuar se do të dalë me një reagim të gjerë të martën./Kosova Post/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi