Bayern Munich ka shpallur zyrtarisht rinovimin e Joshua Kimmich (23 vjeç) deri në vitin 2023, duke e zgjeruar kontratën aktuale, që ishte e vlefshme deri në sezonin 2019-2020 dhe duke siguruar kështu një nga talentet më të mëdhenj gjermanë të viteve të fundit. Vazhdimësia e anësorit ishte një “sekret i hapur” në javët e fundit, ndërsa iu jepet fund thashethemeve që e vendosnin atë në orbitën e Barcelonës dhe Manchester City. Rummenigge, menaxheri i përgjithshëm i Bayern Munich, ka qenë i kënaqur me marrëveshjen: “Joshua ka evoluar gjatë dy viteve e gjysmë të fundit për të qenë një shtyllë e ekipit tonë. Ne jemi shumë të lumtur që mund ta lidhim atë në një afat të gjatë“. Drejtori sportiv bavarez, Salihamidžić, ishte gjithashtu i lumtur: “Ai është një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së Bayernit dhe ne shpresojmë të festojmë shumë suksese gjatë viteve të ardhshme”.
Kimmich vetë ka deklaruar, pas nënshkrimit të kontratës, se sa shumë mirë ndihet në klubin bavarez: “Jam shumë i lumtur që e zgjas kontratën time kaq shpejt. Kjo tregon se klubi dhe menaxherët kanë shumë besim tek unë dhe më shohin si një element i rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës. Objektivat e mia dhe ato të klubit janë shumë ambicioze në vitet e ardhshme dhe dua të bëj gjithçka në fuqinë time për t’i arritur ato së bashku”. Kimmich u afrua te Bayern Munich në sezonin 2015-2016 dhe ka luajtur 109 ndeshje me kampionët gjermanë, si dhe është një ndërkombëtar absolut me Gjermaninë, në 25 raste./telesport.al/