Basha u jep zgjidhjen protestuesve: Ju takojnë paratë e garancisë që la firma, po Rama dhe Gjiknuri i duan për vete

Kryetari i opozitës Lulzim Basha u ka treguar zgjidhjen e problemit të tyre, punëtorëve të By Pass-it Fier e Vlorë, që janë mbledhur sot me thirrje dhe pankarta para Kuvendit duke kërkuar 16 muaj paga të prapambetura.

Basha i ka takuar dhe ka bashkëbiseduar ata para se të hynte në seancën parlamentare. Pasi i dëgjoi, deklaroi:

“Përshëndes punëtorët e By Pass-it të Fierit dhe Vlorës që janë mbledhur për të dytën herë para parlamentit.

PD dhe unë e njohim problemin tuaj. Mosmarrja e pagave është pasojë e drejtpdrejtë e korrupsionit.

Ju e dini që firma kontraktore që mori nënkontraktoret, ka lënë një garanci tek shteti shqiptar. Kjo garanci mjafton dhe tepron që shteti pas largimit të kësaj firme mashtruese t’ua paguajë djersën tuaj.

Kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Ka me dhjetra telefonata të zyrtarëve afër kryeministrit dhe zyrtarëve të tij që fshehin një aferë të pistë korruptive. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri fshehin një aferë të pistë që të marrin paratë për veten e tyre.

Së shpejti ne do të ngremë zërin për këtë aferë. Nuk mund të jetë shteti i drejtë ai që kur vjen puna tek detyrimet të arreston – por kur vjen te të drejtat nuk i respekton e në këtë rast, të drejtën tuaj për të marrë paratë nga garancia që ka lënë; nëse kontraktori dështon, shteti duhet t’ua kthejë ato njerëzve që u detyrohet. Ju keni kryer punime dhe shteti i ka pranuar.

Ne do të bëjmë gjithçka që ju të merrni paratë që ju detyrohet shteti shqiptar. Dua t’ju inkurajoj që keni ngritur zërin,” theksoi Basha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi