Basha me fermerët në Devoll: Bujqësia prioritet, subvencionet në bazë të prodhimit, taksa e naftës do hiqet

Fermerë te Devollit zhvilluan sot një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha, të cilit i shprehën problematikat që hasin në shitjen e prodhimeve të tyre, si mungesa e tregut dhe të subvencioneve, si dhe pamundësinë për të nxjerrë fitime të mjaftueshme për jetesën.

“Kam qershi 5 dynym atje dhe po i hedhim. Qershitë po na i marrin me 500 lekë. Krim i madh! I marrin me 500 lekë dhe i shesin me 2 mijë lekë. Edhe atyre keq u bën edhe ne keq na bën”- u shpreh një fermer.

Një tjetër fermer u ankua për pesticidet të cilat përveçse janë të shtrenjta, nuk kanë asnjë efekt tek prodhimet. Për këtë ai thotë se duhen marrë masa të menjëhershme, me një agronom të licensuar nga vet ata.
“I futëm pesticide shumë pemës por nuk jemi të sigurt, ka shumë kromë. Po të jetë agronomi i licensuar nga ne fermerët me licencë, do hyjë e do dali në Greqi lirshëm, t’i marri pesticidet më lirë dhe më të sigurta. Ai do na tregojë dhe kur është sezonin e spërkatjes”- u shpreh fermeri.

Shqetësime pati edhe për energjinë elektrike që u nevojitet për ujitjen e të mbjellave, pasi kostoja që kanë fermerët është shumë e madhe.

“Kërkojmë që të na vendosin kabina elektrike, mirë është edhe për ne, mirë është edhe për shtetin. Se nesër unë jam shumë i ndërgjegjshëm që të të jap ty lekun, se do harxhoj energji elektrike, por e nxjerr mollën jo me kosto të madhe”.

Mungesa e tregut është një tjetër shqetësim që i ka penalizuar për 7 vite fermerët e Devollit. Sipas tyre, edhe pse prodhime ka plot, mungesa e tregut i ka bërë që t’i hedhin në lumë.
“Prodhime ka plot, sa të duash. Problem është tregu. Pagova transportin 1 milion lekë për ta hedhur prodhimin në lumë. I ngarkuam me fadromë edhe direkt në lumë”- tha një tjetër fermer.

Pasi dëgjoi ankesat e fermerëve, kreu i opozitës tha se paketa e Partisë Demokratike është e qartë për çdo fermer shqiptar. Subvencioni në bazë të prodhimit, heqja e taksës së naftës dhe stimulimi i eksporteve janë tre masat që u vijnë në ndihmë fermerëve dhe ekonomisë shqiptare.

“Për kuintal fruta, perime, drith, mish, bulmet, do ketë subvencione të përllogaritura në mënyrë të tillë që do të ulë koston e inputit, farave, fidanëve, dapeve. Çfarë i keni pesticide dhe naftën, do ketë një kuotë veçmas për bujqësinë. Taksën e qarkullimit që e rriti 240 lekë, do ta heqim dhe nafta për të gjithë do të jetë 240 lekë më lirë. Për fermerët, me anë të subvencionit, ndërsa sipas kategorive të prodhimit do të jetë dhe më e lirë. Prandaj e vetmja gjë që kërkoj nga ju, është që të jeni sa më efiçentë në prodhime që i thith tregu i brendshëm dhe që ne mund t’i stimulojmë për tregun e jashtëm” – tha Basha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi