Balla: Nuk diskutojmë 30 qershorin, por si të fusim PD në zgjedhje

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla komentoi në studion e News24 në rubrikën “Opinion” situatën politike, ftesat e kryeministrit Edi Rama për kreun e PD për dialog dhe protestat e opozitës.

Balla tha se 30 qershori nuk negociohet dhe nuk shtyhet, pra zgjedhjet vendore për maxhorancën do të mbahen në këtë datë sipas përcaktimit kushtetues. Por ai tha se mund të diskutohet se si mund të futet Partia Demokratike në zgjedhje. Balla deklaroi se Basha vijon të ngulmojë në humnerë dhe ta fundosë PD-në.

“Dua të them që edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i fushatës zyrtare për zgjedhjet e 30 qershorit të cilat janë zgjedhje shumë të rëndësishme po të kujtojmë që në 61 bashkitë e vendit do të kemi një proces zgjedhor për të zgjedhur 61 kryetarët dhe kuvendet. Disponiliteti i PS dhe kryeministrit Edi Rama për një dialog ka qenë i vijueshëm. Kryeministri Rama i ka dërguar kryetarit të PD një seri kërkesash përmes disa letrave publike të cilat kanë pasur në themel domosdoshmërinë për të dialoguar sepse në demokraci dialogu është i rëndësishëm. Megjithatë Basha vijon të ngulmojë në humnerë dhe vijon ta fundosë PD-në. Kjo humnerë ka filluar prej vitesh.
Para 20 viteve për referendumin e Kushtetutës, PD e ka bojkotuar. Po kështu në zgjedhjet vendore të vitit 2000, kemi parë bojkot nga PD. Në të dyja rastet, historia ka treguar se PD ka qenë gabim në të dyja vendimmarrjet. Zgjedhjet vendore janë të përcaktuara në Kushtetutë. Në rastin në fjalë 30 qershori është afati i fundit në të cilin duhen mbajtur zgjedhjet. Asnjë parti nuk ka të drejtë t’i pengojë apo kondicionojë, ndaj jemi në situatën që këto zgjedhje do mbahen më 30 qershor”, theksoi Balla.

Ai tha më tej se kërkesa për dialog nga maxhoranca për PD do jetë e vijueshme. “Do dialogojmë për atë që mund të përcaktojë kushtetua. E kemi thënë shumë qartë që dorëzimi i mandateve është një hap që do dëmtojë rëndë PD. Prej atij momenti kemi thënë që jemi të gatshëm të dialogojmë në respekt të Kushtetutës. Nuk ka asnjë mundësi për të rishikuar datën e zgjedhjeve, për ta shtyrë qoftë me 24 orë. Nëse nga ana e PD-së do të kishte pasur një reflektim dhe të hiqej dorë nga dialogu pa kushte patjetër që ka pasur zgjidhje që mund të përfshijnë PD në zgjedhje.
Rasti i zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 me shtyrjen një javë ishte brenda afatit Kushtetues, brenda afatit të përcaktuar nga Kodi. 30 qershori është afati i fundit i përcaktuar nga ligji. Askush nuk mund të vërë në dyshim 30 qershorin, është i panegociueshëm. Gatishmëria jonë për të gjetur një zgjidhje që fut PD-në në zgjedhjet e 30 qershorit. Por diskutime për 30 qershorin, kushte të papranueshmë, ku është parë e dëgjuar”, deklaroi Balla.

Sipas tij, sondazhet tregojnë se sot PD është poshtë nivelit më të ulët historik. “Niveli më i ulët është ai i vitit 1997. Sot PD përpëlitet tek 20% dhe këtë nivel kaq të ulët, sigurisht përgjegjësinë kryesore e mban lidershipi. Nuk po flas për LSI-në, LSI nuk di a ekziston më. Po flas për PD-në”, tha Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi