Atletico Madrid, Simeone rrezikon dënim të rëndë

Barazimi në “Emirates Stadium” i ka dhënë një avantazh të lehtë Atletikos së Madridit për të shkuar në finalen e madhe të Europa League, por ai që rrezikon shumë te skuadra e “Colchoneros” është Diego Simeone.

Trajneri argjentinas u përjashtua në minutën e 12 të transfertës londineze, në fazën gjysmëfinale të kupës më të vogël kontinentale. Simeone mori karton të kuq pasi kontestoi fuqishëm vendimin e arbitrit francez Klement Turpin për përjashtimin e hershëm të Vrsaljkos. Ky i fundit mori dy kartona të verdhë duke e lënë skuadrën madrilene në inferioritet numerik, në një ndeshje që mund të ishte mbyllur më mirë për vendasit.

Tashmë, ashtu siç kanë frikë drejtuesit e Atletikos, skualifikimi i trajnerit argjentinas mund të jetë i madh. Mbetet për t’u parë se çfarë ka shkruar arbitri në raportin e tij, por nëse gjykatësi sportiv do të vendosë se ofendimet dhe kontestimet ishin në masë të rëndë, Simeone merr së paku 3 ndeshje pezullim.

Nëse raporti do të jetë i lehtë, trajneri do të dënohet me dy ndeshje.

Në çfarëdolloj skenari, nëse Atletiko eliminon Arsenalin dhe kalon në finale, do të duhet të luftojë për trofeun pa Simeonen në pankinë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi