Atentati në Shkodër është filmuar nga kamerat e sigurisë

Një ditë pas atentatit me tritol që tronditi qytetin e Shkodrës, burime nga grupi hetimor konfirmojnë se kamerat e sigurisë së një biznesi mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme, që do të mundësonin identifikimin e autorit të ngjarjes.

Grupi hetimor po heton intensivisht për shpërthimin e së shtunës në Shkodër, një ngjarje e rëndë ku mbetën të plagosur 8 persona, e që kishte për objektiv Lulzim Kullën.

Sipas hetuesve, nga pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë janë përfituar të dhëna të vlefshme që mund të çojnë në identifikimin e autorit që vendosi bombën në motorin e parkuar në lagjen ‘Partizani’. Sasia e tritolit që u aktivizua në distancë mund të ketë qenë deri në 1 kg.

Po ashtu janë sekuestruar telefonat celularë të shënjestrës së sulmit, që ende nuk është marrë në pyetje, për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se po merren në konsideratë disa pista. Lulzim Kulla, shënjestra e këtij atentati me tritol në Shkodër, figuron në skedarët e policisë si një person me precedentë të theksuar kriminalë. I arrestuar për kultivim droge në Dukagjin, Lulzim Kulla, 42 vjeç, njihet edhe si anëtar i një grupi që vendoste gjoba ndaj tregtarëve, apo si i dyshuar për një përfshirje në vrasje.

Ngjarja e rëndë, në kufijtë e një akti terrorist, shkaktoi panik në Shkodër, ndërkohë që ndodhi në ditën kur Policia e Shtetit festonte 105 vjetorin e krijimit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi