Armenia në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Pas krizës politike në Armeni, qytetarët me të drejtë vote sot votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në Armeni këtë mëngjes ka nisur procesi i votimet për zgjedhjet e parakohshme të cilat u përcaktuan në tetor pas dorëheqjes nga detyra e kryeministrit Nikol Pashinyan, i cili mori këtë detyrë pas protestave të zhvilluara në vend në muajin prill.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08.30 në të gjithë vendin dhe do të vazhdojë për 12 orë. Në vendin me popullsi rreth 3 milionë banorë ndodhen 2.5 milionë votues.

Në sondazhet parazgjedhore, parashikohet se zgjedhjet do t’i fitojë aleanca “Emri im”, i udhëhequr nga partia “Kontrata civile”, të cilën e drejton Nikol Pashinyan, i cili po ashtu kryen përkohësisht detyrën e kryeministrit pavarësisht dorëheqjes që ka bërë në tetor. Rivali më i afërt i Pashinyan pritet të jetë Partia Armenia e Begatë e qendrës së djathtë.

Ndërsa Partia Republikane (HHK) të cilën e drejton ish-presidenti Serzh Sargsyan që më parë ka qëndruar për 10 vite në pushtet parashikohet se nuk do të mund ta kalojë pragun zgjedhor. Sargsyan në këto zgjedhje nuk ka paraqitur kandidaturë për deputet. HHK, në këto votime po hyn nën drejtimin e Vigen Sarkisyan i cili në qeverinë e mëparshme ka kryer detyrën e ministrit të mbrojtjes.

Në Armeni për partitë që hyjnë të vetme në zgjedhje ka një prag prej 5 për qind, ndërsa për aleancat një prag 7 për qind.

Në votime do të përcaktohen të paktën 101 anëtarë të parlamentit, ku sipas kushtetutës së Armenisë parlamenti mund të ketë numrin minimal 101 deputetë dhe maksimal deri në 200 deputetë.

Parashikohet që në mëngjesin e ditës së hënë të dalin edhe rezultatet jozyrtare.

Pas formimit të parlamentit, theksohet se deputetët e rinj do të zhvillojnë një seancë më 31 dhjetor ku do të zgjedhin kryeministrin i cili gjithashtu do të formojë edhe qeverinë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi