Arabia Saudite liron princat që akuzohen për korrupsion

Autoritetet saudite kanë liruar një numër të madh të princave dhe biznesmenëve të arrestuar gjatë një operacioni kundër korrupsionit, bëjnë të ditur mediat lokale.

E përditshmja saudite “Okaz”, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se personat që u mbajtën në hotelin Ritz-Carlton të Rijadit u liruan pas arritjes së marrëveshjes me autoritetet.

Gazeta nuk shpalosi emrat e të liruarve, por tha se dosja e të arrestuarve nën dyshimin për korrupsion “do të ketë përparim në ditët e ardhshme”.

Ndërkohë, miliarderi saudit, princi Alwaleed bin Talal pritet të lirohet brenda pak ditësh. Autoritetet saudite ende nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare mbi lirimin.

Në nëntor, autoritetet saudite arrestuan dhjetëra figura publike, duke përfshirë princa dhe ministra në një operacion masiv kundër korrupsionit.

Arrestimet erdhën menjëherë pasi një komitet kundër korrupsionit nën drejtimin e princit të kurorës Mohamed bin Salman u formua përmes një dekret mbretëror.

Autoritetet saudite theksuan se së paku 100 miliardë dollarë ishin keqpërdorur përmes korrupsionit sistematik./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi