Apeli e liron nga akuzat për krime lufte Milorad Zajiqin

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë me të cilin Milorad Zajiq nga Klina, në mungesë faktesh, ishte liruar nga përgjegjësitë penale për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Prokuroria Speciale në Prishtinë e akuzonte Zajiqin se në cilësinë e pjesëtarit të Ushtrisë së Jugosllavisë kishte marrë pjesë në luftimet afër fshatit Dush (Disheviq) të Komunës së Klinës, kur ishin vrarë tre anëtarë pleq dhe të paralizuar të familjes Marmullaku.

Vendimin e Apelit e ka konfirmuar për klankosova.tv zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore-DKR në Pejë, PKR.nr.64/18 të datës 08.03.2019, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërkaq, Apeli ka pasë këtë arsyetim për vendimin e marrë në këtë rast.

“Gjykata Themelore-DKR në Pejë, me aktgjykimin PKR.nr.64/18 të datës 08.03.2019,, të akuzuarit M.Z., bazuar në dispozitat e nenit 364 par.1 nën par.3 të KPPK-së, e ka liruar nga akuza, për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile në kundërshtim të rëndë me nenin 3 të përbashkët me Konventat e Gjenevës, aktualisht e penalizuar sipas neneve 31 dhe 152 të KPRK-së, dhe me shkelje të nenit 22 dhe 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, të rikualifikuar në fjalën përfundimtare nga prokurori i shtetit në vepër penale organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës nga neni 160 160 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së, me arsyetim se me provat e procedura në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit përmbushën elementet e veprës penale në fjalë”.

“Përgjigje në ankesë ka paraqitur, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Dejan Vasiq, me propozim që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si e pabazë, ndërsa, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, të vërtetohet”.

Zajiq ishte arrestuar më 19 mars të vitit 2018 në momentin kur ky kishte shkuar në polici për të denoncuar se i ishte plaçkitur shtëpia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi