ANALIZA: Opsionet e Donald Trump për të sulmuar Sirinë dhe rreziku për luftë botërore

Përpjekja për të zhdukur fuqinë ajrore të Assad, mund të jetë me rreziqe e jo më pak e rrezikshme paraqitet edhe mundësia e ndonjë  viktime në radhët e trupave ruse.

Donald Trump urdhëroi një sulm në Siri një vit më parë në përgjigje të një sulmi kimik, gjatë të cilit 59 raketa amerikane Tomahawk goditën bazën ajrore Shayrat.

Duke qenë se ky sulm nuk e ndaloi presidentin sirian Bashar al-Assad, dhe forcat e regjimit të mos përdornin më armë kimike, presidenti amerikan tashmë duhet të vendosë nëse do të ndërmarrë ndonjë goditje më ndëshkuese pas sulmit me gaz në Douma.

Pas sulmit në bazën Shayrat, Shtetet e Bashkuara pretenduan se kishin shkatërruar 20 avionë – gjë që u përshkrua nga sekretari i Mbrojtjes në atë kohë, si 20 për qind e fuqisë operacionale ajrore të Sirisë – dhe që krijoi shkatërrim serioz të bazës. Raportime të tjera i sfiduan këto të dhëna, sidoqoftë, duke thënë se avionët sirianë u ngritën në fluturim nga bazë vetëm disa orë më pas.

Nëqoftëse Trump i nevojitet të dërgojë një mesazh më të fortë këtë radhë, një opsion është ai i shkatërrimit të forcës ajrore të Sirisë.

Pasi që ka luftuar kundër Sirisë rregullisht përgjatë 70 vjetëve të fundit, përfshirë edhe sulme të vazhdueshme në dy vitet e fundit, forca ajrore izraelite e njeh më mirë sesa çdokush tjetër, fuqinë e Sirisë.

Reuven Ben-Shalom, analist izraelit i cili ka punuar për 25 vjet në forcat e mbrojtjes së Izraelit, hezitoi të ishte mburracak, mirëpo në fund nuk mundi të mos e përshkruante aftësinë ushtarake të Sirisë, si “një shaka”. Mjafton, sipas tij, të vlerësohet vetëm një tregues: Siria ka 15 mijë forca të personelit në forcën e vet ajrore, sipas një statistike të publikuar nga një institute kërkimor. Izraeli ka 34 mijë njerëz dhe Shtetet e Bashkuara, 316 mijë.

Ben-Shalom thotë se superioriteti i Izraelit do të garantonte shkatërrimin e forcës ajrore siriane dhe superioriteti i Shteteve të Bashkuara është shumë herë edhe më i madh.

Sidoqoftë, ai shton një detaj kyç: konfrontimi i mundshëm nuk ka të bëjë thjesht me aftësitë ushtarake. “Çështja kryesore është çadra që rusët kanë hapur për Sirinë. Rusët janë brenda Sirisë”. Shtetet e Bashkuara rrezikojnë me nisjen e një sulmi fillimin e një lufte të tretë botërore, thotë ai.

Jeremy Binnie, analist i Mbrojtjes thotë: “Marina amerikane ka mundësi të përdorë raketat Tomahawk për të kryer një version më të madh nga sulmi ndëshkues i vitit të kaluar në bazën ajrore Shayrat, në qoftë se do të ketë një numër të mjaftueshëm avionësh luftarakë dhe nëndetësesh brenda hapësirës së duhur”.

Ngjashëm, shënjestrat do të ishin avionët luftarakë dhe asete të tjera që janë të vështira të riparohen, më shumë sesa vetë bazat ajrore.

Binnie thotë se duket e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një sulm katër herë më të madh sesa ai i vitit të kaluar. “Kështu, nëse sulmi mbi bazën Shayrat shkatërroi 20 për qind të forcës ajrore siriane, si u pretendua, atëherë katër herë më shumë teorikisht do t’i jepte fund asaj, por duhet llogaritur edhe çdo përmirësim që ka ndodhur deri tani në mbrojtjen ajrore të Sirisë”.

“Në të njëjtën kohë, ekziston rreziku që nëse thua se ke shkatërruar forcën ajrore siriane, por nuk hoqe qafe dot disa avionë, mund të dukesh qesharak kur ata të shihen duke fluturuar”. Siria është përforcuar nga rusët me sistemin S-400 të mbrojtjes nga raketat. Më herët këtë vit, Siria pretendoi se kishte rrëzuar një avion luftarak izraelit F-16 që u përplas në tokë ndërsa kthehej pas një sulmi.

Por, Ben-Shalom vë në dukje se ka gjëra që shkojnë keq në luftë dhe rrëzimi i avionit me gjasa u shkaktua nga një kombinim ngjarjesh. Në fund, Izraeli mban “dominimin e dukshëm” të qiejve, thotë ai.

Rreziku më i madh që ka përballë Trump, nuk janë sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, por vrasja e rusëve.

Administrata amerikane paralajmëroi Rusinë përpara sulmit të vitit të kaluar mbi bazën Shayrat dhe me gjasa, do ta bëjë sërish. Shtetet e Bashkuara po ashtu i njohin bazat ajrore ku janë vendosur rusët. Por si thotë Ben-Shalom, gjërat mund të sillen gabim në luftë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi