Ambasadori gjerman: Shumë shpejt marrëveshja obliguese Kosovë-Serbi

Marrëveshja ligjërisht e obligueshme Kosovë-Serbi mund të bëhet shumë shpejt. Pozita dhe opozita duhet të bashkohen për një platformë të përbashkët në dialogun me Serbinë, ngase mos prezantimi i një alternative të përbashkët e vë Kosovën në qorrsokak.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, të mbajtur sot në vazhdën e ciklit të Forumit 2015 me titull “Negociatat Kosovë-Serbi: Një qasje racionale?”, ku u theksua se edhe pala kosovare por edhe ajo serbe duhet të identifikojnë interesat strategjike në mënyrë që të zgjidhin konfliktin mes vete.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, vlerëson se dialogu Kosovë-Serbi ishte diskret, megjithatë paralajmëron shpejt arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Ai ka avokuar për qasje pozitive për të dyja palët në mënyrë që të zgjidhen pengesat që aktualisht janë.

Ndonëse thotë se kupton se nuk mund të ecet përpara kur dihet se ka diçka për tu sqaruar, Heldt thekson se ka ardhur koha që përfundimisht të bëhet diçka për qytetarët e të dyja vendeve, pasi sipas tij, këta të fundit duan të shohin se jeta e tyre po përparon.

“Ne nuk e dimë përmbajtjen e bisedave. Shumë gjëra tashmë janë diskutuar për substancën e kapitujve të mëdhenj, siç janë ekonomia dhe shumë prej vendeve, ose gjërave që i përmendi Veton Surroi. Nuk e di, ky është një proces që është trajtuar në mënyrë shumë diskrete deri më tani. Unë thjesht nuk mund të them nëse është diskutuar mjaftueshëm substanca apo përmbajtja që është ligjërisht e obligueshme. Mirëpo mbani mend se marrëveshja gjithëpërfshirësve ligjërisht e obligueshme mund të bëhet shumë shpejt, mirëpo kjo varet një pjesë të madhe nga ajo që është diskutuar deri më tani”, tha ai.

Tutje, ambasadori gjerman ka ftuar për vëmendje dhe kujdes në shtrimin e kërkesave të palës kosovare dhe asaj serbe, pasi siç tha ai, kjo është përgjegjësi që u takon atyre, pasi në këtë proces ndërkombëtarët më shumë kanë rolin e moderatorit.

“Duhet të kemi njëfarë pronësie nga komunitetet që jetojnë në këtë vend, pronësi nga ky vend dhe po ashtu ehe njëfarë vetësigurie për të hyrë në biseda bilaterale rreth pasqyrës së përgjithshme. Sa më përket mua, mendoj se kjo mund të bëhet vetëm kur e dini saktësisht se cilat janë interesat tuaja strategjike dhe pastaj mund të diskutoni se ku mund t’i vendosni… Ky është një proces ku mund të ekzistojë një moderator, por përgjegjësia bie mbi supet e të dyja palëve të përfshira në radhë të parë sepse ka kufij deri ku mund të përfshihet pala ndërkombëtare në këtë proces”, tha Heldt.

Publicisti Veton Surroi, tha se mungesa e një platforme të përbashkët nga pozita dhe opozita për dialogun me Serbinë e ka çuar Kosovën qysh nga fillimi në qorrsokak.

Ai ka ftuar për unitet politik, duke thënë se pozita dhe opozita kanë nevojë të ndërtojnë një pozicion të përbashkët.

“Mosprezantimi i një platforme të qartë, bile ajo nuk ka nevojë të jetë as publike por e ndërtuar në një proces mirëbesimi nga ana e pozitës dhe opozitës. Do të thotë, momenti i ecjes pa një hartë e vendosë Kosovën që nga fillimi në qorrsokak sepse nuk e din se ku po shkon. Ke një guxim të asaj se çfarë synon. Nuk janë të pamundura opsionet për ndërtimin e një platforme. Çështja që të ndërtohet uniteti politik brenda pozitës, brenda opozitës që të ecet tutje”, tha Surroi.

Surroi tha tutje se përfundimi i konfliktit me Serbinë është ajo çka më së shumti i nevojitet sot Kosovës. E për këtë, ai tha se duhet të modifikohet natyra e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me të mirat dhe këqijat që kanë.

Sipas tij, motivi themelor që duhet ta shtyjë Kosovën drejt një marrëveshje të re me Serbinë, është përfundimi i konfliktit me të dhe jo aderimi në NATO, në BE dhe në OKB, ndonëse nuk anashkaloi rëndësinë që ka integrimi.

“Delegacioni i Kosovës ka hyrë në Bruksel pa legjitmitet, pa autorizim nga Kuvendi i Kosovës, ka hyrë në një proces i cili nuk ka pasur parime, caqe të definuar, strukturim të procësit negociator. Pra, kemi hyrë në një proces në të cilin ndërmjetësi ka përcaktuar se cila do të jetë agjenda, ka qenë një lloj pazari i hapur që çdo kush të përcaktojë agjendën. Rezultati të cilin e kemi sot është produkt i një mungesës të një përgatitje, përcaktimi, strukurimi, mirëpo mbi të gjitha mungesë e kërkesës së Kosovës që ky proces të organizohet në përputhje me nevojat e Kosovës”, tha ai.

Jeta Krasniqi nga KDI tha se mungon një qëndrim unik i palës kosovare dhe se ka një polarizim të tejskajshëm i tyre dhe liderëve që udhëheqin institucionet.

“Është e vërtetë se mungon një qëndrim unik rreth asaj se çfarë është duke kërkuar Kosova në këto bisedime… Duke e mbyllur diskutimin në një temë të caktuar siç është tema e Asociacionit apo e korrigjimit të kufijve, atëherë ne jemi duke parashtruar edhe dështimin e marrëveshjes”, theksoi Krasniqi.

Me këtë rast, publicisti Veton Surroi ka prezantuar edhe botimin e tij “Kanti, lopa e makiatos dhe një paradigmë e re në negociatat Kosovë-Serbi”./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi