Ambasada e Turqisë në Tiranë: “Jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri”

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, ambasada turke në Tiranë ka organizuar pritje solemne me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve shtetërore etj.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se edhe pas 100 vjetësh, Turqia është gati të qëndrojë me të njëjtën vendosmëri përballë çfarëdo lloj vështirësie apo rreziku që synon kombin dhe sigurinë kombëtare.

“Edhe me të gjitha përpjekjet tona, kërcënimi i terrorizmit me origjinë nga Siria nuk është ndaluar dhe gjithmonë si pikësynim ka pasur vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, organizata terroriste PKK/YPG ka sulmuar Turqinë me qindra herë”, u shpreh Yörük, duke shtuar se operacioni ‘Burimi i Paqes’ ishte jashtëzakonisht i përpiktë për tërheqjen e organizatës terroriste PKK/YPG nga një zonë e sigurt prej 30 km nga kufijtë e Turqisë.

Ai tha se Turqia është në një rajon me fqinjë të paqëndrueshëm dhe me shumë sfida, duke shtuar se, “Ne i bëjmë ballë këtyre sfidave në një mënyrë të vendosur dhe parimore, të udhëhequr nga thënia e famshme e Mustafa Kemal Ataturkut: ‘Paqe në atdhe, Paqe në botë’ “.

Ambasadori Yörük theksoi se ndërsa festojnë 96-vjetorin e Republikës së Turqisë, gjithashtu festojnë 96-vjetorin e ‘Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm’ midis Turqisë dhe Shqipërisë.

“Jemi krenarë që jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri në shumë fusha strategjike si financa, telekomunikacioni, aviacioni civil, shëndetësia, minierat, industria, arsimi, energjia dhe infrastruktura. Jemi krenarë që jemi partneri i 3-të më i madh tregtar i Shqipërisë”, tha Yörük.

Ai theksoi se Shqipëria ka një rol kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe se Turqia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE). 

“Ne besojmë se një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht si anëtare e plotë e BE-së , është në interes të Turqisë, si dhe të Ballkanit dhe të Evropës”, u shpreh më tej ambasadori turk.

Ambasadori i Turqisë po ashtu theksoi se “ndërsa po përkujtojmë themeluesin e Republikës sonë Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë veteranët tanë, ne me respekt kujtojmë gjithashtu dhe dëshmorët tanë që humbën jetën duke mbrojtur vendin tonë, duke luftuar kundër organizatave terroriste dhe duke i rezistuar përpjekjes së pabesë të grushtit të shtetit 15 Korrikut nga organizata terroriste gyleniste”.

Turqia si pjesë e G20 është një ndër 6 ekonomitë më të konsoliduar evropiane, theksoi ambasadori Murat Ahmet Yörük.

***

-Rama- Mitsotakis: Pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, vazhdojmë reformat me të njëjtën vendosmëri

Kryeministri shqiptar, Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, shteti shqiptar do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri.

Në të njëjtën kohë është në interesin e Shqipërisë, po aq sa është në interesin e Greqisë fqinje, theksoi Rama, të diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët dhe të forcohet bashkëpunimi mes të dyja palëve.

Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim. Më tej, ai mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri.

Veç kësaj, kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjellët të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek.

Kryeministri i Shqipërisë ftoi kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi.

***

-Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut konfirmuan perspektivën e dy vendeve në BE

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, realizoi para pak ditëve një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti i Shqipërisë, Meta, priti me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë presidentin Pendarovski, ndërsa pas takimit, në konferencën e përbashkët për media, të dy homologët u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Meta theksoi gjatë fjalës së tij në konferencë se pas Marrëveshjes historike të Prespës, sipas tij mjaft e rëndësishme për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit, Maqedonia e Veriut po ecën e sigurt drejt anëtarësimit në NATO.

“Dua të shpreh kënaqësinë për angazhimin e Presidentit si dhe të institucioneve të këtij vendi fqinj për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që parashikohen nga Marrëveshja e Ohrit, pasi kjo sigurisht është tepër e rëndësishme në të gjitha aspektet, jo vetëm në forcimin e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, por edhe të vetë perspektivës evropiane të këtij vendi, të marrëdhënieve tona dhe të gjithë rajonit“, tha Meta. 

Presidenti Meta theksoi se ndajnë një qëndrim të përbashkët se e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë e pakonkurrueshme nga çdo ide tjetër për të dyja vendet, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE). 

Meta theksoi më tej se “Kemi diskutuar për gjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe akoma dhe më shumë, në të gjitha aspektet më konkrete, sidomos për përmirësimin e ndërlidhjes mes vendeve tona për sa i takon infrastrukturës, në mënyrë të veçantë asaj hekurudhore që është një domosdoshmëri, por edhe në fushën e energjisë dhe në shumë fusha të tjera”. 

Pendarovski tha gjatë fjalës në konferencë se marrëdhëniet midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë shënojnë vazhdimisht një trend pozitiv zhvillimi. 

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim intensiv dhe frytdhënës që është edhe vërtetim për marrëdhëniet e përkryera midis dy shteteve. Ne na lidhin shumë gjëra, historia e përbashkët, gjeografia e përbashkët, e ardhmja e përbashkët euro-atlantike, si dhe sfidat e përbashkëta në pjesën me reformat dhe transformimet shoqërore. Republika e Maqedonisë së Veriut, një nga prioritetet më të larta ka ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, u shpreh Pendarovski. 

Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se me presidentin e Shqipërisë u pajtuan që obligimi i tyre si kryetarë të shteteve është të vazhdojnë të inkurajojnë të gjithë faktorët politikë që të vazhdohet me zbatimin e obligimeve nga agjenda evropiane, reformat dhe, siç theksoi ai, “të vazhdojmë t’i bindim liderët evropianë se negociatat me vendet e rajonit janë investim në stabilitet dhe prosperitet“. 

Pendarovski tha më tej se “Me presidentin Meta u dakorduam se me rëndësi të madhe për ne është edhe mbështetja e deritanishme e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut mori pjesë edhe në punimet e Samitit të Paqes në Evropën Juglindore, ndërsa gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri u takua edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

***

-Deputeti i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë: Evropa nuk na pranoi për shkak të islamofobisë dhe aleancës ruso-serbe!

Deputeti i opozitës së re nga grupi parlamentar i partive të djathta, Zef Shtjefni u shpreh në seancën e kësaj të jave në Kuvendin e Shqipërisë se shtyrja e negociatave nuk erdhi as për plotësimin e kushteve dhe as për reformimin e BE-së. Shtjefni tha se BE nuk pranoi Shqipërinë dhe Maqedoninë për shkak të islamofobisë.

Nëse Evropa nuk më pranon me vëllain tim mysliman nuk dua të futem në Evropë. BE nuk na pranoi për shkak të islamofobisë dhe aleanca ruso-serbe që kërkon një Shqipëri të trazuar dhe një rajon të trazuar. Shqiptarët kanë treguar se kanë shkëlqyer. Nuk duan një vend të stabilizuar. Këto janë të hershme. Kemi derdhur gjak për Evropën dhe sot duhet të na kthejë borxhin. Na kanë borxh integrimin pa kushte. Franca dhe Macron gabuan. Kur terrorizmi goditi Francë ne i mbështetën. Bashkëjetesën tonë fetare na e ka zili gjithë bota”, u shpreh deputeti Zef Shtjefni.

***

-Institucione shqiptaro-turke vazhdojnë të realizojnë projekte bamirësie

Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive humanitare realizoi më datë 26 tetor 2019 projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë”. Nëpërmjet të cilit u synua ofrimi në vijimësi i dhënies se kontributit për të lehtësuar sadopak vështirësitë ekonomike të 105 fëmijëve, përmes dhurimit të një kontingjenti ndihmash në artikuj veshmbathjeje, çanta shkollore, pako mishi si dhe ndihma periodike monetare.
Ky program u pasua me ceremoninë e akordimit të këstit të dytë të bursave inkurajuese për 150 studentët e ekselencës të universiteteve publike, që ndjekin programet e studimit Bachelor dhe Master, një program, i cili synon të kontribuojë sadopak në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja intelektuale në shoqërinë shqiptare, të afta për të përballuar sfidat e kohës.

Falë mbështetjes bujare të ofruar nga Organizata IHH me qendër në Holandë u mundësua realizimi i këtyre projekteve.

Fondacioni “ALSAR” gjen rastin t’i shpreh drejtuesve te saj mesazhin e respektit dhe të konsideratës më të lartë në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për mbështetjen dhe inkurajimin që ka ofruar, në misionin dhe rrugëtimin e pandalshëm drejt bamirësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi