Akuarel, 1/ Nga: Durim Çaça

vitet bëhen tipare t’fytyrës e ngjyra e mendimeve
me aromën e fortë si prej kafshe të agut
teksa vështron pyjet, qiellin sipër tyre, dritën e stinës

e ritmi i përditshëm, ngazëllimi, vuajtja e re
çudia e pabesueshme me të cilën gëzohet
gjer në fund një ditë e jetës

të dashurosh një trëndafil të përkohshëm
ësht’ të duash trëndafilin që lulëzon gjith’herë
në përjetësi, mot për mot

ah, t’udhëtosh nëpër arkeologjin’ e peisazhit
fshehja në hije, përndezja e valanidhit, vdekja
nën flatrën e bardh’ të zogjve që fluturojn’ lart

e tejngjyrimi i barit, i valëve, i reve
porsi ngjyrimi i largësis’ së përpiktë
e të ndrojtur të një fjordi norvegjez

un’ nuk dua të jetoj, miq
dua veç të dashuroj një herë
e të frymoj rastësisht

qiej mbrëmjeje e re që fluturojn’ sipër t’burgosurish n’prill
një vegim burri, një flaut, një grua në vetmi
si një bukuri e papërmbajtshme dhe e pamëshirshme

e hëna e re nën një vezulli murrizesh
puthja që bie mbi zemrën si pika e ujit
mbi tokën e thatë që dridhet

të dashurosh një trëndafil të përkohshëm
ësht’ të duash trëndafilin që lulëzon gjith’herë
në përjetësi, mot për mot…

Durim Çaça

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi