Agim Veliu konfirmon përplasjet brenda LDK-së… Kush do ta pasojë Isa Mustafën?

 

 

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, reagoi sot ashpër pasi anëtari i kësaj partie, deputeti Driton Selmanaj, ftoi Shpend Ahmetin t’i bashkohet LDK-së.

Veliu tha se partisë së tyre i bashkëngjiten njerëzit që kanë frymë të njëjtë me ta, ndërsa kjo nuk bëhet me ftesa nëpër studio televizive

Përplasja Veliu-Selmanaj nxjerr në pah përçarjet që kanë nisur brenda LDK-së dhe krijimi i klaneve të të fuqishmeve.

Lajmi.net raportoi të dielën për përplasjen e klaneve në LDK, gjë që e kishte shtyrë edhe Isa Mustafën të ndërhynte nga Gjermania.

Reagimi i sotëm i Agim Veliut shpërfaqë ambicien e drejtpërdrejt të tij që të vihet në krye të LDK-së, pasi që kryetari aktual Isa Mustafa që një kohë të gjatë është në Gjermani për shërim.

“… aktualisht kemi katër klane të forta që po shtyhen për marrjen e lidershipit. Në njërën anë është Nënkryetari Agim Veliu, në anën tjetër Lutfi Haziri, por po ashtu është klani i Dukagjinit që udhëhiqet nga Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, si dhe klani që ne e quajmë Riinvest e që përbëhet nga Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj dhe disa deputetë. Ambiciet e tyre janë shfaqur në masë të madhe sidomos pas shkuarjes së Kryetarit Mustafa për shërim në Gjermani”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për lajmi.net me kushte anonimiteti.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Mustafa nëpërmjet telefonit i ka kujtuar zyrtarëve të lartë partiak se gjatë kohës së qeverisjes së LDK-së, pikërisht deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, dhe aktivistë të dhunshëm të Vetëvendosjes, e kanë sulmuar eskortën e tij dhe shtëpinë e tij disa herë. Ky reagim i Mustafës ka ardhur pas veprimeve të fundit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bojkotuar seancat parlamentare në solidarizim me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Klanet më të forta brenda LDK-së kanë akuzuar deputetët e LDK-së se janë pa vizion dhe po menaxhohen nga VV-ja.

Pas raportimit të lajmi.net, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kishte reaguar duke thënë se kjo parti dhe grupi parlamentar janë unik. Sa unik janë po shihet edhe nga deklarata e Agim Veliut kundër Driton Selmanajt.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi