Administratorët e pallateve, Veliaj: Procesi mbyllet brenda vitit

Procesi i administratorëve të rinj të pallateve në Tiranë do të mbyllet brenda këtij viti, duke e kthyer kryeqytetin në një model. Lajmi u bë i ditur nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj në takimin me administratorët e pallateve dhe ata të 24 njësive administrative.

“Tani që i kemi vënë në vijë do të doja që ne të vazhdonim edhe me pallatet e fundit që na kanë mbetur pa mbledhur asambletë. Më rezulton se ne kemi mbledhur deri më sot 2790 asamble , do të thotë 2790 komunitete, edhe besoj se ky duhet të jetë viti i fundit ku ne do të pajisim çdo pallat me administrator dhe do ta kthejmë Bashkinë e Tiranës në një bashki model. Dua të ftoj të gjithë qytetarët, të atyre pak pallateve që kanë mbetur, që të gjejnë kohën e tyre”, tha Veliaj.

Çdo pallat në kryeqytet do të ketë pesë pemë të reja të mbjella jo vetëm për anën estetike, por dhe duke krijuar hapësirë të gjelbër të shëndetshme për banorët, bëri të ditur Veliaj nismën e radhës.

“Më vjen mirë që janë sot këtu të gjithë administratorët e njësive administrative të Tiranës, të 24 dhe më vjen mirë që sot na janë bashkuar 80 administratorë pallatesh që përfaqësojnë 80 pallate apo 80 komunitete shumë të çmuara të Tiranës, duke u zotuar që secili prej tyre të mbjellë rreth 5 pemë në secilin pallat. Njerëzit janë ndarë në dy kategori; një që vetëm jep mend si shpiket rrota, dhe një kategori tjetër që falë Zotit janë shumica që bën punë. Fakti që shqetësimi që kemi sot është sasia e pemëve dhe ky rekord që ne duam të kapim me 100 mijë pemë deri në datën 21 mars ku do të kemi kulmin e fushatës sonë që është edhe Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, tregon që Tirana ka hyrë në një revolucion jo vetëm gjelbërimi, por edhe kulturor”, tha Veliaj.

Deri më 21 mars, Tirana pritet që të tejkalojë numrin e 100 mijë pemëve të reja të mbjella duke vendosur një rekord./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi