A u fol me Merkel për “Tahirin”? Rama: Folëm për vettingun! Krichbaum s’më ka thënë gjë

Kryeministri Edi Rama e quajti të suksesshme vizitën dyditore në Gjermani dhe pyetjes së Top Channel, nëse kishte biseduar me Angela Merkel për çështjen “Tahiri” nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë.

“Kemi folur në detaje për të gjitha aspektet e raportit të progresit, për ecurinë në 5 prioritete, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe patjetër për progresin e bërë me vettingun, që ka një vëmendje të veçantë nga të gjithë, edhe nga kancelarja”, u përgjigj Rama.

Kryeministri thotë se vizita nuk synonte që të merrte “Po”-në publike nga Angela Merkel, ndërsa rrëzoi pohimin e Gunther Krichbaum, kryetar në Komisionin për Çështjet Europiane në Bundestag, i cili deklaroi përmes rrjeteve sociale se ja kishte thënë në sy Edi Ramës se hapja e negociatave për Shqipërinë është e parakohshme.

“Ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është një surprizë për mua. Ai kështu e mendon dhe mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as që më gjen të papërgatitur dhe as përbën një arsye për mua që të më ulet kenaqësia e rezultateve të kësaj vizite”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi pozitive atmosferën e gjetur në Berlin dhe thotë se nga takimet që pati atje nuk gjeti asnjë zë të prerë kundër hapjes së negociatave./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi