A po e humb BE kontrollin mbi Ballkanin Perëndimor, pse dhe çfarë pasoja mund të ketë?

Kohëve të fundit, Bashkimi Evropian është futur në një fazë të re politike dhe kjo po reflekton në një brishtësi të saj për shqyrtimin e problemeve Ballkanin Perëndimor.

Kjo pasi Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE dhe tash e sa kohë është në pauzë sa i përket përfshierjes në dialogun Kosovë – Serbi, shkruan lajmi.net.

Shumë shpesh, BE është kritikuar edhe për qasjen e saj tejet të butë mbi dialogun dhe ky fragjilitet i saj po konsiderohet shpesh si i rrezikshëm për Evropën.

Kështu e sheh edhe profesori universitar dhe njohësi i politikave të jashtme, Arben Fetoshi.

Fetoshi për lajmi.net është shprehur se mos-hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është gabim strategjik i BE-së me pasoja të dyanëshme.

Sipas Fetoshit, në njërën anë, është krijuar terren për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Turqisë duke dëmtuar orientimin perëndimor të rajonit dhe në anën tjetër mbanë pezull konsolidimin e brendshëm të BE-së.

“Moshapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është gabim strategjik i BE-së me pasoja të dyanshme. Nga njëra anë, krijon terren për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Turqisë duke e dëmtuar orientimin perëndimor të rajonit, dhe nga ana tjetër, do ta mbajë pezull konsolidimin e brendshëm të BE-së për shkak të rëndësisë determinuese të Ballkanit Perëndimor”, tha Fetoshi për lajmi.net.

Sipas Fetoshit, pa Ballkanin në BE, aspirata për Evropën e bashkuar nuk mund të përmbushet, duke shtuar më tutje se nëse nuk përforcohet agjenda evropiane, rajoni do të përballet me ideologji dhe rryma të rrezikshme që kanë interesa ekonomike.

“Aspirata për Europën e bashkuar nuk mund të përmbushet pa integrimin e plotë të Ballkanit në BE, ndërsa Ballkani Perëndimor e në veçanti shqiptarët, do të jenë gur prove për karakterin dhe ndoshta edhe të ardhmen e BE-së politike. Pikërisht për shkak të rrezikut për depërtim më të madh të rusëve e kinezëve, është me rëndësi strategjike mbajtja dhe përforcimi i agjendës europiane të rajonit. Në të kundërtën, pashmangshëm do të sfidohemi nga rryma e ideologji dhe interesa ekonomike të tjera dhe nga tendenca për ta mbajtur Ballkanin portë të trazuar drejt Europës”, ka vazhduar më tutje Fetoshi.

Megjithatë, Fetoshi është shprehur optimist se proceset nuk do të përkeqësohen më tutje, duke thënë se BE-ja dhe SHBA-të nuk do ta braktisin rajonin.

“Megjithatë, jam optimist se proceset s’do të përkeqësohen më tutje, nuk mendoj që BE-ja dhe SHBA-të do ta braktisin rajonin, pra nuk mendoj se mund t’ia “dorëzojnë” atë rusëve apo kinezëve. Një gjë e tillë s’është lejuar më 1914 dhe s’mund të lejohet as tani”, tha Fetoshi për lajmi.net në fund.

Në anën tjetër njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se BE-ja momentalisht gjendet në një fazë të re të rigjetjes së vetvetës dhe po dështon në politikat e zgjërimit.

“Aktualisht Bashkimi Evropian gjendet në proces të ri të rigjetjes së vetvetës sepse BE aktualisht është duke dështuar në atë që quhet politika e zgjerimit. Politikë e zgjërimit në BE aktualisht është Ballkani Perëndimor dhe duke e parë polarizimin e skajshëm të shteteve në BE sa i përket politikave të zgjërimit nënkupton që BE është në proces të rigjetjes së vetës në raport me politikat e zgjërimit”, tha Mazreku për lajmi.net.

Më tutje, Mazreku ka theksuar faktin se procesi i Brexitit e ka dëmtuar shumë BE-në ku edhe nuk po arrinë të gjejë unitetin e nevojshëm.

“Sa i përket asaj se si merren vendimet dhe si funksionojnë shtetet brenda BE-së, mendoj se procesi i Brexitit e ka vendosur në pozicion të tillë BE-në që ende nuk mund të ketë gjuhë unike dhe të ketë trajtim të tillë të rasteve ku BE do të mbajë vetën të unifikuar”, tha Mazreku për lajmi.net.

Sipas Mazrekut, rrëshqitja e botës drejt multipolaritetit është ajo që e ka bërë BE-në të rikonsolidohet dhe të rimendojë pozicionin e saj në këtë dimension.

“Duke e parë që bota aktualisht është duke rrëshqitur drejtë multipolaritetit, kur e dimë që bota për gati 50 vite ka qenë bipolare, për 2-3 dekada ka qenë unipolare dhe tani jemi në një situatë ku po rrëshqasim drejt multipolaritetit dhe shtetet e BE-së nuk mund të jenë pole në vetvete por duhet të jenë së bashku në një pol, pra BE është në proces të rigjetjes së vetës se si do të pozicionet në krejt këtë multipolaritet”, tha Mazreku për lajmi.net.

Njohësit e politikave të BE-së gjithashtu kanë theksuar se BE ka gabuar me mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mendim të njëjtë ka edhe i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, Matthew Palmer i cili tha dje se BE ka dërguar mesazhe të këqija në Ballkan me mos-hapjen e negociatave.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi