73 shqiptarë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Sojati: E kemi të pamundur të flasim me autoritetet që i mbajnë në kampe!

73 shqiptarë ndodhen në zonat e konfliktit në Irak dhe Siri. Koordinatori Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm Agron Sojati tha në një intervistë për News 24 se për burrat, gratë dhe fëmijët janë identifikuar me emra, dihet vendndodhja e tyre dhe se janë partnerët amerikanë ata që po ndërmjetësojnë me autoritetet nëpër kampet e Sirisë dhe Irakut për t’i sjellë në Shqipëri.

Sojati edhe pse mbetet tepër i rezervuar në dhënie informacioni shprehet se komunikimi i drejtpërdrejte i Shqipërisë është i pamundur me autoritetet respektive të kampeve. Transporti dhe sigurimi i tyre do të bëhet nga partnerët ndërkombëtar.

“Ne besojmë se presim rreth 73 veta gjithsej ku 23 janë burra, 20 gra dhe rreth 30 fëmijë. Kuptohet që bëhet fjalë për shifra referuese, nuk bëhet fjalë për një inventar fizik të qenieve njerëzore që janë atje pasi distanca dhe mundësitë juridike për të bërë këtë lloj inventari e kemi të pamundur por këto të dhëna kemi. U ngel atyre për ta thelluar më tepër apo për të dhënë informacion qoftë në territor qoftë tek autoritetet në Siri dhe Irak ne e kemi të pamundur të kemi një raport të drejtpërdrejte me forcat që kontrollojnë kampin. Besojmë që me aq kontakte sa kemi ka një ide të qartë mbi numrin e personave, emrin e personave, vendin ku ndodhen dhe në çfarë situate janë”, tha Sojati.

Lidhur me arsyet që i kanë shtyrë vajzat dhe gratë shqiptare të ndjekin bashkëshortët e tyre Sojati thotë se çdo individ që do të riatdhesohet do të intervistohet ku do të zbulohet konkretisht edhe roli i tyre në krah të xhihadistëve shqiptarë të ISIS.

“Ka disa studime që Shqipërinë dhe rajonin për faktorët shtytës dhe tërheqës që I detyron apo bën që këta individë të marrin këtë vendim dhe të largohen nga Shqipëria drejt Sirisë dhe Irakut. Por të përcaktosh kush ka qenë roli i grave në zonat e konfliktit ështe diçka që do dali nga intervistat, do të dali nga hetimet, do të dali nga kontaktet dhe studimet. Kam përshtypjen që është pak herët që ne të kemi një fizionomi të tyre si grup. Kemi parasysh që edhe personat që kanë kthyer në Shqipëri para vitit 2015 kanë një profil të ulët, kanë një mos dëshire për të komunikuar më publikun apo për të bërë prezent këtë lloj informacioni për arsye se me ndryshimet ligjore të viti 2014, zhvendosja, vajtja apo asocimi në struktura militare, terroriste të një vendi tjetër I paautorizuar nga shteti është e dënueshme. Në këto kushtet këta individ nuk kanë gjetur besueshmëri, në po punojmë me komunitetin mysliman shqiptar. Ka një angazhim te familjeve dhe grave por deri në nivelin që është komunikuar në kontekst lokal pa bërë publike për rolin që kanë luajtur atje. Ka një pjese rurale, gratë kanë ndjekur thjesht burrat vlen për tu parë kjo pjesë”, pohoi ai.

Por a duhet te shqetësohet shoqëria për kthimin e tyre pas përvojës në territoret nën pushtetin e ISIS?
“Nuk është elementi frikë në këtë rast , ne duhet të njohim kush ngacmon komunitet tona. Kush kërkon që të ndiqen këto rrugë që nuk janë rrugë të natyrshme të komuniteteve tona. Është bërë punë e mirë nga gjithë institucionet në këto 4 -5 vjet”, shtoi Sojati.

Koordinatori Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm duke iu referuar edhe strategjisë kombëtare dhe planit kombëtar të veprimit thekson se vendi ka kapacitete të krijuara në fushën e edukimit, në fushën e mbrojtjes sociale dhe trajtimit psikologjik, për të gjithë personat që do të riatdhesohen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi