36 shtete thirrje për llogaridhënie nga vrasësit e Khashoggit

Tridhjetë e gjashtë shtete, përfshirë 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), kanë kritikuar në mënyrën “më të ashpër” vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi gjatë seancës së 40-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, duke bërë thirrje po ashtu për llogaridhënie nga ana e përgjegjësve.

“Dënojmë në mënyrën më të ashpër vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, e cila u vërtetua të jetë kryer nga Arabia Saudite në konsullatën e saj në Stamboll”, u tha në deklaratën e përbashkët të 36 shteteve të lexuar në këshill nga ambasadori Harald Asspelund, përfaqësuesi i përhershëm i Islandës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Aspelund theksoi se vrasja e Khashoggit ka treguar edhe një herë rëndësinë e lirisë së fjalës dhe nevojën për mbrojtjen e gazetarëve në gjithë botën.

“Hetimi në lidhje me vrasjen duhet të jetë i shpejtë, efikas, i detajuar, i pavarur, i paanshëm dhe transparent. Nga përgjegjësit duhet kërkuar llogari”, tha Aspelund.

“I bëjmë thirrje Arabisë Saudite t’i shpalosë të gjitha informatat që ka”, potencoi më tej ambasadori Aspelund, duke e ftuar mbretërinë saudite të bashkëpunojë në të gjitha hetimet, përfshirë edhe atë të drejtuar nga Agnes Callamard, Raportuesja Speciale e OKB-së për Ekzekutimi Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare.

Aspelund po ashtu apeloi deri te Arabia Saudite të hedhë hapa “kuptimplotë” të nevojshëm që mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët të kenë qasje të plotë në lirinë e shprehjes “pa u frikuar se ndaj tyre do të zbatohen masa ndëshkimore”.

Në deklaratën e lexuar nga Aspelund, krahas 28 shteteve të BE-së, firmën e tyre hodhën edhe Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Mali i Zi, Norvegjia, Islanda, Monako dhe Lihtenshtajni.

Në një senacë të radhës gjatë ditës, Arabia Saudite pritet të dalë me përgjigjet e veta ndaj deklaratës së përbashkët, e cila është ndër të parat për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së të themeluar në vitin 2006.

Ndryshe, Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën Saudite në Stamboll pak pasi hyri në objektin diplomatik më 2 tetor të vitit të kaluar.

Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

Përkundër shpalosjes së detajeve rreth kohës, vendit dhe mënyrës së vrasjes së tij, trupi i gazetarit saudit ende nuk është gjetur.

– Gjurmët saudite në vrasje

Më herët, gazeta amerikane Washington Post ka shkruar se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka arritur në përfundimin se urdhrin për vrasjen e Khashoggit e ka dhënë princi saudit i kurorës Muhammed bin Salman.

Raportuesja e OKB-së Callamard qëndroi në turqi nga 28 janari deri më 3 shkurt në kuadër të një hetimi. Në një deklaratë në lidhje me vizitën e saj, Callamard tha se “faktet e tubuara gjatë detyrës në Turqi tregojnë se Khashoggi ka qenë viktimë e një vrasjeje makabre të planifikuar më herët nga ana e shtetit dhe zyrtarëve të Arabisë Saudite”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi